Balla përkujton Ditën e Veteranëve

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përkujtuar 20 Korrikun, Ditën e Veteranëve.

Balla thekson se 20 korriku është dita e nderimit dhe respektimit të veteranëve të luftës dhe pasardhësve të tyre.

Sipas tij, një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës.

“Sot më 20 Korrik, Shqipëria përkujton Ditën e Veteranëve, dita e nderimit dhe respektimit të veteranëve të luftës dhe pasardhësve të tyre. Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët shqiptarë shumë të respektuar dhe pasardhësit e tyre. Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, atyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë”, shprehet Balla.

Shqipëria jonë e vogël, thekson ai, u bë një aleate e madhe e koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.

“Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të kësaj Lufte, nderimi i çdo beteje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, më 29 Nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari. Në emër të Partisë Socialiste dua t’i shpreh Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare vlerësimin tonë më të lartë për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë kjo Organizatë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin tek brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore”, u shpreh Balla.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.