TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, BE ka qenë pranë qytetarëve shqiptarë dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor shqiptar duke dhuruar pajisje mjekësore me një shumë totale prej 4 milionë eurosh, ndërsa po sjell mbi 150 mijë vaksina “Pfizer”.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë publikoi sot një video ku tregohet mbështetja që BE ka dhënë për Shqipërinë.
“Përgjatë vitit 2020, BE mbështeti Shqipërinë në luftën kundër COVID-19. Falë projektit “EU for Health”, stafi mjekësor u pajis me mjete thelbësore për të përballuar situatën. Sot mjekët dhe infermierët flasin për pajisjet që ndihmuan punën e tyre të vështirë gjatë pandemisë”, thuhet në videon e delegacionit të BE.
Ervjola Karriqi, kryeinfermiere e spitalit COVID 4 tha se, “me këto aparatura ne monitorojmë njëkohësisht disa pacientë dhe kjo na krijon hapësirën për të kryer dhe shërbime të tjera”.
Ndërsa dr. Iris Hatibi, virologe në ISHP, tha se, “të pasurit e materialeve të nevojshme, kiteve, të reagentëve, në kohën e duhur, me cilësinë dhe sasinë e nevojshme për të kryer diagonozën e COVID-19, na dha mundësinë që të gjurmojmë sa më shumë raste për të ulur zinxhirin e infeksionit”.
Dr. Fetah Dosti, i spitalit të Kavajës, tha se, “falë kësaj ambulance ekipi jonë i urgjencës është në gjendje të mbërrijë më shpejt, të jetë më i sigurt në dhënien e ndihmës, por gjithashtu edhe pacienti të ndihet më komod”. /j.p/r.e/






















