Ballina Ekonomi

Pogradec/ Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, programe aktive të hedhjes së rasatit të koranit në liqenin e Ohrit

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të vjetër në botë. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri në 5 milionë vjet.

Në liqen rriten 40 specie të rralla. Ndër më të njohurat dhe ekonomikisht më të rëndësishmet është peshku i pastër i llojit Salmo letnica (Korani).

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë programe aktive të hedhjes së rasatit të peshkut koran, për pasurimin e një aseti të jashtëzakonshëm natyror që kanë dy vendet tona.

Ndërkohë që në Shqipëri, deri tani, grumbullimi i vezëve përfshinte sakrifikimin e peshkut që kapej për grumbullimin e vezëve duke lejuar peshkatarët ta shisnin peshkun e zënë në treguan lokal.

Falë një projekti të financuar nga GEF-Programi i granteve të vogla, që zbatohet nga qeveria shqiptare (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) në bashkëpunim me programin shtetëror të grumbullimit të vezëve dhe rritjes së rasatit, sjell një risi pasi siguron lëshimin e gjallë të peshkut të kapur pas grumbullimit të vezëve, duke kompesuar peshkatarët për vlerën e humbur në rastin e mosshitjes së peshkut troftë, me kusht që peshku të lëshohet i gjallë pas marrjes së materialit biologjik.

Ekspertët e peshkimit shprehen se kjo iniciativë mbart një rëndësi të veçantë pasi kapja / heqja nga popullata e atyre individëve që arrijnë të jenë të suksesshëm në riprodhim, rrezikon zhdukjen e atyre gjenomave të cilat janë provuar dhe seleksionuar si të suksesshme në kontekstin aktual.

“Vrasja e riprodhuesve të cilët kanë qenë të aftë të mbijetojnë deri në moshën e pjekur të riprodhimit dëmtonte “ajkën” e popullatës së peshkut koran”, shprehen ekspertët.

Ripopullimi troftës, kësaj specieje endemike të liqenit të Ohrit, është një mbështetje e qeverisë shqiptare për peshkimin në Pogradec si dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vendin tonë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRuçi pret Norman: Bashkëpunim i shkëlqyer me Mbretërinë e Bashkuar
Artikulli tjetërFacebook kërkon raportimin e postimeve ekstremiste