MV – Mbi 260 mijë të vaksinuar kundër COVID-19

SHKUP, 15 qershor /ATSH-AA/ – Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut njoftoi se deri tani 260 mijë qytetarë në vend janë vaksinuar kundër koronavirusit (COVID-19). 

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, vaksinimi zhvillohet normalisht në të gjitha pikat e shtetit.

Në njoftim theksohet se interesi për vaksinim po rritet çdo ditë ndërsa deri më tani numri i personave që kanë shprehur dëshirën për vaksinim përmes platformës “vakcinacija.mk” është 450 634 qytetarë.

“Deri dje 259 935 qytetarë janë vaksinuar në pikat e vaksinimit në vend. Dozën e parë të vaksinës e kanë marrë dje 3 222 qytetarë ndërsa u vaksinuan gjithsej 4 840 qytetarë.

Gjithsej 452 424 doza vaksinash u aplikuan ndërsa 193.029 qytetarë u rivaksinuan.

“Sipas shifrave të fundit, 48% e popullsisë mbi moshën 70 vjeç ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, 42% e popullsisë mbi moshën 65 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës dhe 36% e popullsisë mbi moshën 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë”, thuhet më tej.

Theksohet se vaksinimi është duke u zbatuar në pajtim me Planin kombëtar për imunizim dhe se po vaksinohen persona të rritur, qytetarë që kanë shprehur interesim për vaksinim në këtë platformëndërsa vaksinohen edhe persona të punësuar në infrastrukturën kritike.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të paraqiten masivisht në “vakcinacija.mk” meqë kjo është mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për t’u vaksinuar.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.