Rama publikon pamje nga atmosfera e “Tirana Fan Zone” në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një video me pamje nga “Tirana Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” ku janë mbledhur adhuruesit e futbollit, të rinj e të reja të grupmoshave të ndryshme, të cilët po ndjekin përmes ekranit gjigant ndeshjen Francë-Gjermani.

Në pamjet e publikuara nga kryeministri Rama në sheshin “Skënderbej” atmosfera elektrizuese shfaqet qartë pas më shumë se një viti e gjysmë me masa kufizuese për shkak të pandemisë.

“Tirana Fan Zone” e ka kthyer qendrën e kryeqytetit në një hapësirë ku qytetarët e Tiranës, por jo vetëm, kanë mundësinë që nëpërmjet një ekrani gjigant të ndjekin të gjitha ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian “Euro 2020”.

Nëpërmjet një ekrani gjigand të vendosur në qendër të sheshit i cili ka marrë pamjen e tapetit të blertë, por edhe në shoqërinë e aktiviteteve të ndryshme, qytetarët do të  shijojnë 30 ditët e Kampionatit Europian në një atmosferë fantastike.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.