Shkarkimi nga Kuvendi/ Meta: Shfaqja më e fundit e parlamentit monist

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta e konsideroi sot shkarkimin e tij nga Kuvendi si “shfaqja më e fundit e parlamentit monist”.

Në një konferencë për mediet Meta tha se, “jemi përpjekur të qëndrojmë larg asaj shfaqjeje, sepse ka qenë një shfaqe e qartë për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre dhe për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë. Kështu që po ju theksoj gatishmërinë time, edhe pse parlamenti ka qenë i shkarkuar që në 25 prill, për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje brenda afatit ligjor që ishte pikërisht data 10 maj dhe për të cilën i lajmërova shumë ditë përpara dhe të cilën ata e refuzuan. Ata e kishin me diktat që Presidenti duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh sipas protokollit të Shtetit me ministren e Jashtme të Austrisë, apo takimin me presidentin e Sllovenisë për t’iu nënshtruar tekave të parlamentit të 120-shes”.

Duke folur për përfshirjen e Presidentit në fushatë, Meta tregoi një video nga data 10 mars, nga prezantimi i kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet e 25 prillit, ku kryeministri Edi Rama paraqiti një foto të Presidentit Meta dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj ku shkruhej me kë fiton Drejtësia?

“Mos më thoni që ky nuk është deputet. Ky është kryedeputeti i asaj skuadre. Etja e vazhdueshme e çon në gulçime të vazhdueshme për ta ndalur drejtësinë e re. Dhe sot në kushtet kur flasim ky është akuzuesi kjo është e akuzuara e tij. Përfytyroni tani sikur në 25 prill të mos zgjidhet kjo, por të zgjidhet ky”, shprehet Rama në video.

Meta tregoi në një foto billboard të vendosura në qytete të Shqipërisë ku paraqiten drejtuesit e opozitës dhe mes tyre edhe Presidenti Ilir Meta.

“Kjo përfshirje që e kanë para të gjithë kudo është denoncuar sipas ligjit dhe kodit zgjedhor edhe në institucionet e Prokurorisë, pavarësisht se nuk kemi ndonjë të dhënë që është ndalur dikush që ka bërë një veprim të tillë të paligjshëm përveç se shumë të kushteueshëm”, tha Meta.

Meta u shpreh se, “është e qartë që të gjitha shqetësimet e Presidentit u verifikuan. Do të ishte mirë të kishim pasur zgjedhje model, por e dinë shumë mirë të gjithë ata që duhet ta dinë që Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve dhe është për të ardhur keq që numri i denoncimeve të krimeve zgjedhore para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë sesa në vitin 2017”.

Kjo theksoi Meta, “ka ndodhur për shkak të mos hetimit të dosjeve të Dibrës dhe Shijakut. Por edhe për shkak të sfidës që është bërë publikisht për të përsëritur tërmetin e Dibrës edhe në Vlorë dhe kuptohet në të gjithë Shqipërinë”.

“Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i parlamentit të shkarkuar në 25 prill. Unë pres me shumë qetësi dhe durim përfundimin e gjithë procesit të ankimimeve dhe bashkëpunoj me shumicën e re, kushdo që do të jetë dhe me opozitën e re në parlamentin e ri gjithmonë në respekt të Kushtetutës të procesit të integrimit europian dhe të rivendosjes së procesit të llogaridhënies hap pas hapi në të gjitha nivelet. Po të paktën janë të gjitha mundësitë që kjo gjë të fillojë të ndodhë në Kuvendin e ri”, tha Meta.

I pyetur nëse e përfshiu kryeministri në fushatë, Meta tha se, “jo s’jam përshirë unë. Unë s’jam përfshirë në fushatë. Unë jam përfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve. Kam bërë një fushatë të hapur denonco krimin zgjedhor. Janë ftuar të gjitha forcat politike të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë pa asnjë përjashtim. Jo vetëm kaq por janë gati 30 denoncime qytetare që nga Institucioni i Presidentit janë nisur në ato institucione që kanë detyrë të hetojnë apo parandalojnë krimet zgjedhore”.

I pyetur nëse do të thërrasë sërish popullin në protestë siç bëri në 2 mars të 2020-ës për shkarkimin nga Kuvendi, Meta tha se, “nuk ekziston më një Kuvend i tillë në gjithë kuptimin e fjalës. Në fakt ai s’ka ekzistuar asnjë sekondë të vetme. Ai Kuvend është trupi i gjithë atyre që e krijuan bashkë dhe përjashtoj veten time në mënyrë kategorike nga ajo gjë që ka ndodhur atë ditë që unë kam qenë në Gjermani dhe që ka ndodhur dhe në vazhdimësi. Është një nga faqet më të errëta në historinë e Shqipërisë, 2 vite e ca ai Kuvend. Faqen e zezë të gjithë ata që mund ta kenë bërë me ndërgjegje atë gjë. Që i dhanë Shqipërisë këtë gjë. Dhe që e nxorën dhe Presidentin e Republikës në pritë. Jo Ilir Metën, Presidentin e Republikës, sepse e lanë pa asnjë mbrojtje institucionale Republikën. Dhe mos harrojmë se ka shumë arsye ky Kuvend që iku të votojë në atë mënyrë, sepse ju e dini që Presidenti ndaloi në 8 qershor një gjakderdhje të programuar të 2019-ës. Pra në prag të zgjedhjeve lokale, e cila do të shërbente për të shpallur opozitën në Shqipëri si një organizatë terroriste. Ky është një fakt, po do flasim në 25 korrik më shumë për të gjitha këto çështje. Është po ashtu normale që ky parlament, që e patë ju se po pranojnë edhe hapur se u ka plasur cipa fare, sesa euro kanë marrë për të votuar shkarkimin e Presidentit sipas tyre, që donte të pushtonte Gjykatën Kushtetuese me gjykatës që betoheshin tek noterja tek Lana. Dhe jo vetëm të pushtonte Gjykatën Kushtetuese por të pushtonte çdo institucion përfshirë presidentin para zgjedhjeve të 25 prillit. Për të pushtuar çdo zyrë publike, për të pushtuar çdo vend pune në Republikën e Shqipërisë. Dhe ishte Presidenti që me qëndrimet e veta të qarta parimore dhe mbi të gjitha ishte dhe populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit që e frenoi atë proces pushtimi dhe pavarësisht nga gjithë këto mangësi të paktën vendi shkoi drejt zgjedhjeve që garantojnë një pluralizëm parlamentar që nuk ka ekzistuar deri tani, pra në këto 2 vite”.

I pyetur nëse ka emra se cilët janë ata politikanë që detyruan presidentin amerikan, Joe Biden të përfshijë Shqipërinë si vend ku politikanë të cilët prodhojnë destabilitet në Ballkan u refuzohet hyrja në SHBA dhe u sekuestrohet pasuria, Meta tha se, “nuk kam asnjë emër. Vetëm mund t’ju them që kemi firmosur, e kemi bërë publike, marrëveshjen e ekstradimit dhe mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim kaq pozitiv dhe lufta kundër korrupsionit tani do të jetë prioritet i të gjithëve”.

I pyetur nëse do të ndikojë vendimi që mori parlamenti për shkarkimin e tij në dekretimin e qeverisë së re, Meta u shpreh se, “nuk mund të marrë seriozisht një akt të tillë dëshpërues të një Kuvendi të shkarkuar prej kohësh, të një Kuvendi që jua kam thënë juve, u kam thënë edhe ndërkombëtarëve, miqve tanë, që ka zero opozitë dhe përfaqëson zero opozitë. Madje do t’i kërkojë falje dikujt, një kolegeje joshqiptare, sepse më pyeti për një forcë të re politike dhe ia dhashë që atëherë 0.3 % parashikimin dhe nuk më ka dalë i plotë, se ka qenë aty 0.5 %, por dhe kjo ka qenë si rezultat i përkrahjes së madhe që ka pasur nga miqtë ndërkombëtarë si një alternativë e re. Kështu që këto nuk ndikojnë tek unë asgjë. Tek unë ndikon vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe interesi jonë kombëtar, interesi jonë publik dhe interesi jonë europian dhe çelja e negociatave”.

Nëse do ta njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse do të shprehet pro shkarkimit, Meta tha se, “kini durim deri në 24 korrik të vitit të ardhshëm. Do të jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme. Këto kohë nuk do të jemi në mënyrë shumë intensive, sepse do t’i lëmë kohë të përfundojë procesi zgjedhor i ankimimeve dhe vëmendjen ta marrë ky proces. Pastaj me fillimin e sezonit të ri do të jemi në mënyrë shumë aktive këtu”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.