Gazheli në Durrës: Marrja e statusit OEA, lehtësi për biznesin në gjithë rajonin

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me biznese anëtare në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, ku i njohu nga afër me kriteret dhe përfitimet që ka marrja e statusit të Operatorit Ekonomik i Autorizuar.

Gjatë këtij takimi, Gazheli, informoi sipërmarrësit mbi risitë e bëra nga Administrata Doganore, që tashmë janë të prekshme dhe të ndjeshme për bizneset.

Rritja e eksporteve dhe importeve gjatë këtyre muajve të parë të vitit, është një tregues i matshëm tashmë që ekonomia dhe vetë bizneset janë në ringritje, pas dy krizave që kaluam si tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e COVID-19.

“Pavarësisht një viti sfidues nga pandemia, Administrata Doganore ka qenë në shërbim 24 orë në 7 ditë të biznesit, në funksion të lehtësimit të eksportit dhe importit, duke bërë përpjekjet maksimale në funksionet e saj kontrolluese, sigurimit të trajtimit të barabartë, mbrojtjes së konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme”, theksoi Gazheli.

Gjithmonë ka aspekte për t’u përmirësuar ndaj, shtoi ai, dhe zhvillojmë takime  drejtpërdrejt me bizneset.

Ndërkohë, Gazheli informoi edhe mbi përfitimet që ka biznesi nga marrja e certifikatës “Operatori Ekonomik i Autorizuar”.

“Është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore”, tha ai.

Sipas tij OEA është një certifikatë sigurie për shërbime të shpejta doganore për të lehtësuar, jo vetëm lëvizjen e lirë të mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor, por edhe duke rritur prestigjin e administratave respektive doganore në shërbim të biznesit.

Ky takim vjen në vazhdën e një sërë takimesh, që kreu i Doganave, Gazheli, së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, kanë zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit.

Ky është një tregues i vëmendjes së qeverisë për autoritetet doganore, vlerësoi Gazheli, ndaj dhe vetëm në muajt e fundit, kemi akorduar 4 certifikata për OEA ndërkohë që janë në proces dhe 5 aplikime të tjera.

Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan këtë komunikim të drejtpërdrejt me strukturat doganore, si dhe mirëpriten ftesën e Kreut të Doganave, për të aplikuar për statusin e OEA, për ato sipërmarrje që plotësojnë kushtet teknike dhe financiare për ta përfituar këtë status.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.