OBSH: Niveli i vaksinimit në Europë i pamjaftueshëm për të shmangur një rishfaqje të pandemisë

KOPENHAGË, 10 qershor /ATSH-AFP/ – Niveli i vaksinimit në Europë është i pamjaftueshëm për të shmangur një rishfaqje të pandemisë, paralajmëroi sot dega europiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke kërkuar gjithashtu shmangien e “gabimit” të rritjes së rasteve gjatë verës së vitit 2020.

“Mbulimi vaksinor është larg të qenit i mjaftueshëm për të mbrojtur rajonin nga një rishfaqje”, theksoi drejtori i OBSH Europë, Hans Kluge, në një konferencë shtypi.

“Rruga që duhet të bëjmë për të arritur një mbulim me të paktën 80% të popullsisë së rritur është ende e konsiderueshme”, nënvizoi ai duke bërë thirrje për të mbajtur masat e higjienës dhe distancimin dhe për të shmangur udhëtimet jashtë vendit.

Në 53 territoret e rajonit europian sipas kritereve të OBSH-së, 30% e popullsisë së rajonit ka marrë dozën e parë të vaksinës dhe 17% janë plotësisht të vaksinuar.

“Ndërsa situata në të gjithë rajonin është përmirësuar me një rënie të rasteve dhe vdekjeve gjatë dy muajve të fundit dhe lehtësimin e fundit të kufizimeve, “ne jemi larg nga rreziku”, nënvizoi ai.

“Për herë të parë që nga vjeshta 2020, numri i të vdekurve në javë në zonën europiane ra nën 10 000 javën e kaluar”, sipas OBSH Europë.

OBSH përsëriti shqetësimin e saj për sa i përket qarkullit të varianteve shqetësuese, si varianti Delta, zbuluar fillimisht në Indi./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.