Ballina Aktualitet

Kërcënoi punonjësit e Policisë, Forcat “Shqiponja” neutralizojnë 51-vjeçarin

TIRANË, 8 maj/ATSH/- Policia e Gjirokastrës ka neutralizuar një 51 vjeçar, i cili ka kërcënuar punonjësit e policisë, të cilët iu drejtuan banesës së tij për një kontroll për armë dhe municione pa leje.

Policia e Gjirokastrës njofton se 51-vjeçari i ndaluar, ishte i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të dyshuar. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar pranë banesës së tij, shtetasi A. I. ka marrë një granatë difensive me vete dhe ka tentuar të largohet duke kërcënuar punonjësit e Policisë që të mos e ndiqnin, pasi do t’i qëllonte”,- njofton Policia.

“Shërbimet e Policisë, nisur nga rrezikshmëria që paraqiste ky person, kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe falë veprimeve dhe ndërhyrjes profesionale kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e këtij shtetasi, i cili mbante me vete një granatë difensive të montuar me ndezës universal. Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 19 fishekë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”,- përfundon njoftimi i policisë.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrimet zgjedhore/Prokuroria: 38 kallëzime të regjistruara, 50 në verifikim
Artikulli tjetërGREQI – Pyatt: DEFENDER-Europe 21 tregon se SHBA do të mbetet e pranishme në Ballkanin Perëndimor