Ballina Aktualitet

Manja tregon shkeljet e Kushtetutës nga Meta/ Komisioni Hetimor raport të themeluar tërësisht në konsiderata juridike

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi në një intervistë televizive se “sot Kuvendi i Shqipërisë, formalizoi një procedurë, të cilën kjo mazhorancë e kishte paralajmëruar që gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit”.

Manja shtoi se, “nëpërmjet Ballës deklaruam që me Presidentin e Republikës, lidhur me këtë sjellje që po manifeston gjatë procesit zgjedhor do të merremi menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit”.

Manja tha se, “Komisioni Hetimor do të duhet t’i referojë Kuvendit një raport të themeluar tërësisht në konsiderata juridike. Pra Komisioni Hetimor në rastin konkret do të duhet të hetojë shkeljet e pretenduara nga pikëpamja juridike”.

I pyetur se cilat janë shkeljet e Presidentit, Manja tha se, “konkretisht, ka shkelur nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, është parimi i shtetit të së drejtës. Ky parim nënkupton që çdo institucion kushtetues do të duhet të veprojë në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligji dhe ku padiskutim supremacinë e ka Kushtetuta. Por në rastin konkret, Presidenti nxjerr dekrete, i drejtohet Kuvendit me mesazhe, por kjo sjellje presidenciale duke respektuar shtetin e së drejtës, pra parimin e shtetit të së drejtës, nuk kufizohet thjesht tek nxjerrja e dekreteve apo dhënia e dekoratave, por edhe sjellja e Presidentit, dhënia e intervistave, daljet publike, takimet me të huajt, deklaratat që mban Presidenti do të duhet të jenë brenda kësaj sjellje normale Kushtetuese që merr në konsideratë parimin e shtetit të së drejtës”.

“Anormale është, sepse Presidenti i Republikës në të gjitha deklarimet gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka etiketuar shtetin bandë, qeverinë bandë, institucione të caktuara si në shërbim të bandave kriminale, pra duke dalë tërësisht, duke e shkelur me të dyja këmbët këtë parim të rëndësishëm”, tha Manja.

“E dyta, Presidenti i Republikës ka shkelur nenin 7 të Kushtetutës, në vlerësimin e nismëtarëve, që është parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Presidenti i Republikës nuk është pushtet, është mbi pushtetet. Vërtet Presidenti i Republikës ka disa kompetenca mbi gjyqësorin dhe mbi prokurorinë apo edhe agjencitë ligjzbatuese, sepse merr informacion nga Shërbimet, agjencitë inteligjente, por Presidenti i Republikës nuk mund të hyjë në mënyrë të dhunshme në thelbin e veprimtarisë së këtyre institucioneve”, theksoi Manja.

“E treta, neni 86 i Kushtetutës që e definon Presidentin kryetar shteti dhe simbol i unitetit të Kombit. Që do të thotë presidenti nuk mund të marrë anë politike. Por në rastin konkret, përpara zgjedhjeve të 25 prillit Presidenti çfarë bëri? Mbivendosi autoritetin kushtetues të Presidentit të Republikës duke mbajtur anë politike, duke u vënë tërësisht në shërbim të një force politike në opozitë. Pra Presidenti doli nga misioni i vet kushtetues duke iu kundërvënë hapur qeverisë”, tha Manja.

“Shkelja e katërt dhe që është më e rënda në gjykimin tim, Kushtetuta ka përcaktuar qartë që drejtimet kryesore të politikës së jashtme në marrëdhëniet ndërkombëtare janë atribut i Këshillit të Ministrave dhe drejtimet kryesore të kësaj politike miratohen edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Tani çfarë ndodh? Ne i kemi të përcaktuar në strategjinë tonë të politikës së jashtme kush janë aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, janë SHBA dhe BE. Nëse Ilir Meta, pra Presidenti i Republikës mendon se ambasadorja e SHBA në Tiranë përfaqëson vetveten dhe Ilir Meta, jo Presidentin e Republikës, por Ilir Metën dhe kërkon ta kanalizojë debatin me ambasadoren e SHBA si debat personal, kjo është jashtë çdo logjike normale”, theksoi Manja.

I pyetur nëse shkeljet e Presidentit janë të natyrës penale, Manja tha se, “Komisionet Hetimore sigurisht bëjnë një raport për Kuvendin, që në rastin konkret raporti mund t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e Presidentit të Republikës. Por, në rast se Komisioni Hetimor konstaton edhe shkelje të natyrës penale që nuk janë në tagrin e Kuvendit, Kuvendi merr vendim për t’ia referuar organeve kompetente, që në rastin konkret është Prokuroria”. /a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – OBSH miraton autorizimin e përdorimit urgjent për vaksinën kineze Sinopharm
Artikulli tjetërZgjedhjet e 25 prillit/ Misioni i SHBA-së në OSBE: Zbatim i suksesshëm i Kodit të ri Zgjedhor dhe proces transparent