Zgjedhjet e 25 prillit/ Misioni i SHBA-së në OSBE: Zbatim i suksesshëm i Kodit të ri Zgjedhor dhe proces transparent

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Misioni i SHBA-së në OSBE vlerëson se zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri panë zbatimin e suksesshëm të Kodit të ri Zgjedhor.

Zëvendësshefja e Misionit në Këshillin e Përhershëm, Vjenë Elisabeth Rosenstock-Siller në deklaratën e saj mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë u shpreh se, “SHBA përgëzon popullin e Shqipërisë për angazhimin aktiv në zgjedhjet e tyre parlamentare më 25 prill”.

“Ne përgëzojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbajtjen e një procesi zgjedhor të mirorganizuar dhe në mënyrë të përshtatshme transparent, pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga pandemia dhe zbatimi i teknologjive të reja”, tha ajo.

“Vëmë re se këto zgjedhje panë zbatimin e suksesshëm të Kodit të ri Zgjedhor, rezultat i një kompromisi të lehtësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)”, theksoi ajo.

Për më tepër, shtoi ajo, “siç është përmendur në raportin paraprak të ODIHR, shumica e bashkëbiseduesve të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM) përgëzuan sistemin e ri elektronik të identifikimit të votuesve dhe e panë sistemin si një mënyrë për të zbutur rrezikun e votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe falsifikimit të zgjedhësve. SHBA është gjithashtu e kënaqur nga pjesëmarrja e të gjitha partive përkatëse në zgjedhje, hera e parë që ndodh që nga viti 2017”.

“Përmirësimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë dhe pjesëmarrja e një numri partish në zgjedhje është demokraci në veprim dhe tregon angazhimin e Shqipërisë për zhvillimin e saj demokratik”, thuhet në deklaratë.

“Ndërsa kishte shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, SHBA vërejti konstatimin e misionit vëzhgues të OSBE-së se partia në pushtet nxori përparësi të konsiderueshme nga detyra e saj, përfshirë përmes kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Ne gjithashtu vërejmë konstatimin e tyre se praktikat e përhapura të blerjes së votës mbetën një problem dhe ne përforcojmë shqetësimet mbi rrjedhjet e të dhënave personale të ndjeshme, duke përfshirë preferencat politike të votuesve. SHBA përsërit se zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të vërë para përgjegjësisë çdo individ që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e popullit të Shqipërisë për të votuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne mirëpresim njoftimin e Gjykatës Speciale Antikorrupsion (SPAK) për hetimet e krimeve zgjedhore”, theksohet në deklaratën e Rosenstock-Siller.

“SHBA shpreson në raportin përfundimtar të ODIHR dhe inkurajon Shqipërinë të përdorë këtë raport për të përmirësuar më tej proceset zgjedhore të saj. SHBA do të vazhdojë të punojnë me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në demokraci, mbrojtje dhe tregti”, përfundon deklarata. /ervo/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.