GJERMANI – Spahn: Vala e tretë e COVID-19 duket se është kapërcyer

BERLIN, 7 maj /ATSH-AFP/ – Gjermania duket se e ka kapërcyer valën e tretë të kontaminimeve me COVID-19, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn duke njoftuar një rënie të lehtë të numrit të rasteve.

“Tendenca e javëve të kaluara është konfirmuar. Vala e tretë duket së është thyer”, theksoi ministri konservator në një konferencë shtypi.

“Numri i infektimeve është ulur sërish, por vazhdon të mbetet në nivele të larta”, shtoi ai.

Gjermania u godit rëndë nga vala e tretë e pandemisë deri pikën sa u detyrua të marrë masa drastike në përpjekje për të ndaluar rritjen e kontaminimeve, duke vendosur për herë të parë shtetrrethimin kombëtar duke nisur nga ora 22:00.

Dhe ndërsa disa vende europiane kanë zgjedhur të rihapin gradualisht dyqanet dhe tarracat e kafeneve, shumica e bizneseve përveç atyre që konsiderohen thelbësore mbeten të mbyllura në Gjermani, disa për më shumë se gjashtë muaj.

Megjithatë, Parlamenti hapi dritën jeshile për lehtësimin e kufizimeve për personat që janë vaksinuar tashmë ose që janë infektuar tashmë nga virusi.

“Që nga fundi i prillit shifrat kanë regjistruar një rënie të lehtë”, nënvizoi Lothar Wieler, president i Institutit për Mbikëqyrjen e Shëndetit Publik, Robert Koch (RKI).

Rreth 7,3 milionë persona kanë marrë tashmë dy dozat e vaksinës dhe më shumë se 26 milionë kanë marrë vetëm dozën e parë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.