INDI – Rekord tjetër viktimash dhe rastesh nga COVID-19

NJU DELHI, 6 maj /ATSH-AFP/ – India regjistroi një rekord prej rreth 4 000 të vdekur si pasojë e COVID-19 dhe 412 000 kontaminime të reja gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave zyrtare.

Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë për 3 980 të vdekur dhe 412 262 raste ditore duke e çuar numrin total të viktimave në 230 168 dhe 21,1 milionë të rasteve të regjistruara në total në Indi që prej fillimit të pandemisë.

Ky rekord i ri u shënua pas disa ditësh të rënies së numrit të rasteve që rriti shpresat se kjo rritje katastrofike mund të ulej.

Pasi arriti kulmin me 402 000 kontaminime ditore të premten e kaluar, ditët në vijim panë një rënie të lehtë në 357 000 përpara se të rriteshin përsëri të martën.

Rritja e shpejtë e numrit të rasteve që nga fundi i marsit ka mbingarkuar spitalet, me mungesa fatale të shtretërve, ilaçeve dhe oksigjenit.

Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi refuzon të urdhërojë një kufizim të përgjithshëm, por disa rajone, përfshirë kryeqytetin e Nju Delhit, shtetet e Biharit dhe Maharashtra janë kufizuar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.