Duka flet për gabimet që çuan në humbjen e opozitës: Basha të ribëjë zgjedhjet në PD. Edhe në 2025 kam frikë se do jetë i njëjti ritual

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste pranoi sot në një intervistë televizive se opozita ka bërë disa gabime për zgjedhjet e 25 prillit.

I pyetur për qëndrimin e  tij pas zgjedhjeve ku uroi PS për fitoren, Duka tha se, “unë mendoj që me qëndrimin tim ndihmoj opozitën, sepse ne do vazhdojmë të gjejmë shkaqet e humbjes tek vjedhja, kam frikë se do të ripërsëritet e njëjta gjë. Edhe vazhdojmë në 2017 e njëjta gjë, në 2019 e njëjta gjë, në 2021 e njëjta gjë, në 2025 kam frikë se do jetë i njëjti ritual”.

Duka theksoi se, “shuma determinante në humbjen e opozitës ka qenë lënia e mandateve, ndarja territoriale dhe moshyrja në zgjedhje vendore. 60 bashki ishin në dorë të Edi Ramës. Ne këto i dinim. Ne kishim iluzionin që ka një frymë popullore anti Rama që nuk rezultoi kështu. Pra ato që ne ia kishim lënë në dorë mazhorancës dhe Edi Ramës rezultuan që ishin shumë decizive dhe ne humbëm zgjedhjet. Fatale. Atëherë hajde të korrigjojmë gabimin që kemi bërë”.

Duka u shpreh se pas humbjes së opozitës, Basha duhet t’i hapë rrugë demokratëve për zgjedhje të lira në parti.

Ai tha se zgjedhjet në PD duhen ribërë, në mënyrë që të vazhdohet para.

“Basha duhet patjetër të ribëjë zgjedhjet në PD. Zgjedhje të lira, jo zgjedhje siç u bënë në 2000 e ca. Jo ajo që vazhdon procesi i ngrirjes, por zgjedhje reale. T’i mbledhi demokratët”, theksoi Duka.

“Unë gjykoj që duhet të bashkohen të gjithë demokratët. Që nga më i vjetri që mund të jetë Meksi, deri tek më i riu, i cili është zë kritik, nënkryetari i FRPD. Të bashkohen të gjithë edhe të zgjedhin lidershipin e ri të PD, që do të thotë mund të jetë dhe Basha. Nëse Basha rifiton prapë, krijon frymë”, u shpreh Duka.

“Kurse kështu me artifica, unë kam frikë se i shtojmë jetën mazhorancës dhe ç’është më e keqja keqqeverisjen e vendit dhe frymë autoritare qeveritare për të cilat kemi folur kaq shpesh”, tha Duka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.