Asistenca sociale/ Procedurat e kryerjes së kontrollit për zbatimin e legjislacionit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës procedurat e kryerjes së kontrollit të zbatimit të legjislacionit të asistencës sociale.

Referuar vendimit, kontrolli i zbatimit të legjislacionit të asistencës sociale përfshin kontrollin e programit të ndihmës ekonomike dhe të aftësisë së kufizuar, që bëhet nga struktura përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror, në nivel qendror dhe rajonal, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim, bazuar në metodologjinë e kontrollit të pagesave të ndihmës ekonomike, dhe metodologjinë e kontrollit të vlerësimit bio-psikosocial të aftësisë së kufizuar.

Kontrolli i strukturave rajonale dhe me përzgjedhje në njësitë e vetëqeverisjes vendore bëhet nga struktura përgjegjëse e Shërbimit Social Shtetëror në nivel qendror, bazuar në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij. Programi i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit, sipas modelit standard, të përcaktuar në këtë vendim.

Më tej në vendim përcaktohet se kontrolli i njësive të vetëqeverisjes vendore nga strukturat përgjegjëse në Shërbimin Social Shtetëror në nivel rajonal bazohet në planin vjetor të kontrollit dhe në programet mujore në zbatim të tij.

Programi i kontrollit duhet të përmbajë listën e subjekteve që do të kontrollohen, llojin e kontrollit që do të ushtrohet, periudhën për të cilën do të bëhet kontrolli dhe objektivat që duhet të realizohen.

Kontrolli programohet për çdo muaj. Kontrolli përcaktohet në vendim, duhet të jetë i plotë ose tematik, sipas analizës së riskut.

Në çdo rast, përpara kryerjes së kontrollit, subjekti njoftohet me shkrim për fillimin e kontrollit, qëllimin, si dhe objektivat që do të realizohen. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.