TIRANË, 28 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot se procesi zgjedhor ka shkuar ashtu siç janë përcaktuar rregullat në Kodin Zgjedhor.
Në lidhje me dhënien e disa informacioneve në lidhje me përditësimin e procesit të zgjedhjeve, Celibashi tha se sipas të dhënave të sistemit elektronik që KQZ ka deri në orën 14:00 ka përfunduar votimi për kandidatë i vlerësimit për 37 VNV.
“Është drejt përfundimit ky proces për 14 VNV. Në përgjithësi ky proces ka shkuar ashtu siç janë përcaktuar rregullat në Kodin Zgjedhor, por janë raportuar problematika në fakt në disa VNV ku anëtarët e grupit të numërimit por dhe komisioner duket që nuk janë duke i ndjekur procedurat në lidhje me vlerësimin e fletëve të votimit sipas përcaktimeve ka bërë Kodi Zgjedhore dhe aktet nënligjore që ka bërë KQZ. Kemi dërgua në këto VNV përfaqësues të KQZ, përfaqësues tonë të cilët kanë komunikuar me anëtarë e KZAZ-ve për të bërë ato qartësimet e duhura kur ka qenë rasti në lidhje me proceduarat që duhet të ndiqen për mënyrat e vlerësimit të fletëve të votimit”, tha ai.
Celibashi shtoi se gjej rastin të rikonfirmoj atë çfarë kam thënë se ne nuk do të lejojmë asnjë lloj transformimi të votës nga një kandidat në një kandidat tjetër.
“Për më tepër dua të them që çdo lloj tentative është e kotë, pasi KQZ i disponon të gjitha filmimet në lidhje me procesin e vlerësimit të fletëve të votimit por kjo në fazën e parë kur ka dalë vlerësimi për partitë politike, kështu dua ti ftoj kandidatë për deputet të ndihen të qetë, pasi ekzistojnë të gjitha mundësitë për të verifikuar mbi numrin e votave dhe fletë e votimit që i përket secilit prej tyre. Për sa i përket procesi të numërimit dhe të vlerësimit të fletëve të votimit për kandidatë, tashmë që është mbyllur plotësisht procesi i nxjerrjes së rezultatit për partitë politike dhe koalicionet për 5199 qendra votimi, në lidhje me pjesëmarrjen shifrat janë këto: Pjesëmarrja në përqindje: 46.32 %. Nga këto, 47.66 % është pjesëmarrja e grave dhe 52.34 % nga totali i pjesëmarrjes janë burra”, tha ai.
Celibashi shtoi se ka patur disa kërkesa nga institucionet dhe subjekte zgjedhore për të marrë pamje filmike të të procesit të numërimit të fletëve të votimit gjatë nxjerrjes së rezultatit për partitë politike dhe koalicione.
“Kanë kërkuar Komisariati i Policisë Nr. 1, 2. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kërkuar gjithashtu pamjet filmike të VNV dhe të qendrave të votimit. Jemi në proces të vlerësimit të këtyre kërkesave. Ka kërkuar edhe kandidati Asllan Dogjani”, tha ai.
/r.e/























