Ballina Bota

BULLGARI – Dështon edhe përpjekja e dytë për formimin e qeverisë

SOFJE, 28 prill /ATSH-AA/ – Rezultojnë me dështim për herë të dytë përpjekjet për formimin e kabinetit qeveritar në Bullgari pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 4 prill.

Antoaneta Stefanova, kampionia e shahut, të cilën Sllavi Trifonov, që ka grupin e dytë më të madh me 51 anëtarë në parlamentin me 240 vende, e ka paraqitur si kandidate për kryeministre të partisë ”Ka një popull të tillë” (ITN) ka rikthyer menjëherë mandatin e marrë nga presidenti Rumen Radev për formimin e qeverisë.

“Si parti INT nuk kemi për qëllim të përfshihemi në koalicione pa principe”, ka theksuar në ceremoni Stefanova.

Trifonov, në një deklaratë dje në median sociale, bëri të ditur se partia e tij nuk ka mundur të marrë mbështetje pa kushte nga grupet e tjera në parlament dhe se përpjekja për formimin e një qeverie të mundshme në këtë mjedis do të jetë “vetëvrasje politike”.

Përpara ITN-së në përpjekjet për të formuar qeverinë kanë dështuar edhe ato të Partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) e kryesuar nga ish-kryeministri Boyko Borisov, që është grupi më i madh me 75 mandate në parlament.

Sipas kushtetutës, presidenti Radev pas dështimit në formimin e qeverisë nga dy partitë më të mëdha duhet t‘ia japë këtë detyrë njërit prej 4 grupeve të tjera që përfaqësohen në parlament.

Radev kishte njoftuar se ai dëshironte t‘i jepte parlamentit kohë për të kryer ndryshimet e nevojshme në rrugën për demokratizim në ligjin zgjedhor.

Nëse edhe përpjekja e tretë për formimin e qeverisë dështon, presidenti Radev duhet të shpërndajë parlamentin, të caktojë një datë për zgjedhjet e parakohshme dhe të formojë një qeveri të përkohshme teknokratësh./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali në Kamëz, merr më shumë vota sesa e gjithë lista e PD-së së bashku/ Mund Berishën, Bashën e Nokën
Artikulli tjetërZgjedhjet e 25 prillit/ Celibashi: Pjesëmarrja 46.32 %, 47.66 % gra dhe 52.34 % burra