Ballina Flash

COVID-19/ Mjeku Alimehmeti: Të dhënat e vdekshmërisë në Shqipëri janë në zbritje

TIRANË, 27 prill/ATSH/ “Të dhënat e vdekshmërisë spitalore nga COVID-19 në Shqipëri lidhen me moshën, gjininë dhe sëmundjet bashkëshoqëruese”, tha dr. shk. Ilir Alimehmeti, nga Fakulteti i Mjekësisë, UMT, në forumin e tretë “Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”, të organizuar nga Akademia e Shkencave.
Në fjalën e tij, Alimehmeti theksoi se “të dhënat e vdekshmërisë në Shqipëri janë në zbritje, duke qenë të ngjashme me tre katër muaj më parë, më pak se 2 % (përafërsisht 1.4 %)”.
“Vdekshmëria spitalore e raportuar në evidencë ka qenë: 8 – 21 % te pacientët e shtruar me pneumoni nga SARS-CoV-2; 16 – 78 % te pacientët në terapi intensive. Faktorë risku të raportuar në evidencë janë sëmundjet bashkëshoqëruese si hipertensioni, sëmundja e arterieve, koronave, diabeti”, tha ai.
Dr. shk. Alimehmeti foli edhe për terapitë e reja për të luftuar COVID-19, siç janë antitrupat monoklonalë të cilat kanë kaluar në fazën e tretë klinike të testimit, që kanë sjellë në reduktim deri në 70 % të shtrimeve në spital dhe reduktim të vdekjeve që në fazën e parë të testimit, ndërsa testimi i fazës së dytë klinike të bërë nga Universiteti i Tel-Avivit, ka sjellë 96 % të reduktimit të vdekjeve në terapi intensive.
“Antitrupat monoklonalë (bamlanivimab dhe etesevimab) janë proteina të bëra në laborator që imitojnë aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar patogjenët e dëmshëm siç janë viruset, që drejtohen posaçërisht kundër proteinës spike të SARS-CoV-2, të krijuar për të bllokuar lidhjen e virusit dhe hyrjen në qelizat njerëzore. Bamlanivimab dhe etesevimab lidhen në zona të ndryshme, por të mbivendosura në proteinën kulmore të virusit dhe kanë rezultuar efektive në trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 të butë ose të moderuar”, – theksoi Alimehmeti.
Sipas tij, testimi varet edhe nga biomarkusët (përgjigjja imunitare e organizmit, kjo më e zhvilluar te fëmijët).
“Kjo na hap rrugën, sepse këto biomarkuse po testohen për krijimin e një testi, i cili është duke u zhvilluar dhe është vërtetuar me 95 %, dhe nga këto markusë testojmë nëse një person është më i riskuar nga COVID- 19”, tha dr. shk. Ilir Alimehmeti.
Ai shtoi se “terapitë e reja, patjetër që japin uljen e 80 % të shtrimeve në spital dhe të vdekjeve. Në qoftë se do vijnë në vendin tonë do ta kthejnë problematikën spitalore shumë më të ulët”. /k.s/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNumërohen 4900 qendra votimi në vend/ PS kryeson me 48.66%, PD-AN me 39.41%
Artikulli tjetërMbyllet numërimi në qarkun Elbasan, kryeson PS me 55.22% të votave