BRUKSEL, 22 prill /ATSH-AFP/ – Parlamenti Europian do të shprehet të martën më 27 prill gjatë një votimi për marrëveshjen tregtare postBRexit, arritur mes BE-së dhe Britanisë së Madhe, tashmë aplikuar në mënyrë provizore që prej 1 janarit, njoftoi sot zëdhënësi i Parlamentit Europian në Twitter.
Aplikimi i përkohshëm i traktati, arritur në dhjetor, duhet të marrë fund më 30 prill, por eurodeputetët kanë vonuar për një kohë të gjatë vendosjen e një date fikse për këtë votim, në shenjë proteste kundër shtyrjes nga Londra të disa kontrolleve të mallrave në Irlandën e Veriut.
“Votimi, në përfundim të një debati plenar, do të shoqërohet me një rezolutë parlamentare”, theksoi zëdhënësi i Parlamentit Europian, Jaume Duch.
Njoftimi nga Londra për një shtyrje deri më 1 tetor të disa kontrolleve mbi mallrat që mbërrijnë në Irlandën e Veriut nga Britania e Madhe ka ngjallur nervozizëm të Brukselit.
Duke akuzuar Britaninë e Madhe se po shkel protokollet irlandeze që përfshihen në traktatin e tërheqjes, nënshkruar në fund të 2019, Komisioni Europian aktivizoi një procedurë të diskutueshme.
Kjo marrëveshje tërheqjeje parashikon që Irlanda e Veriut të mbetet në tregun unik europian, gjë që nënkupton kontrollet doganore dhe shëndetësore mes rajonit britanik dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe që prej 1 janarit. / /ec/























