Basha: Të dielën fitorja më e bukur e Shqipërisë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me rreth 500 socialistë të zhgënjyer që i janë bashkuar PD.

Teksa i falënderoi për besimin që i kanë dhënë Partisë Demokratike, Basha tha se Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh e oligarkësh janë bërë bashkë për të zhvatur pasuritë e vendit, kanë vënë pasuri, janë bërë si sheikë në një Durrës që nuk ka ujë për fëmijët, nuk ka bukë për prindërit, nuk ka punë për të rinjtë, nuk ka subvencione për fermerët, nuk ka investime, nuk ka infrastrukturë.

Kreu i opozitës gjithashtu tha se vota për numrin 9 nuk do të sjellë vetëm ndryshimin për Shqipërinë, por do të bëjë të mundur edhe çlirimin e Partisë Socialiste nga zinxhirët që e mbajnë peng të bandave, peng të krimit, peng të shitblerjes së votës.

“Edi Rama dhe një grusht pushtetarësh e oligarkësh janë bërë bashkë për të zhvatur pasuritë e vendit. Kanë vënë pasuri, janë bërë si sheikë në një Durrës që nuk ka ujë për fëmijët, nuk ka bukë për prindërit, nuk ka punë për të rinjtë, nuk ka subvencione për fermerët, nuk ka investime, nuk ka infrastrukturë. Por vetëm vjedhje dhe batërdisje, në një Durrës të lënë në mëshirë të fatit  ku pas tërmetit të zotit ra tërmeti i babëzisë, tërmeti i korrupsionit, që dhe familjet qytetare durrsake duan t’ua grabisin trojet për mafien e ndërtimit”, tha Basha.

“Nga 40 pallate që duhet të ishin ndërtuar, mezi ka filluar puna për 2. Ndërkohë që mijëra të tjera e kaluan dimrin e dytë në çadra. Për një arsye të vetme, babëzisë së një grushti njerëzish, sepse për ta Durrësi është i tyre, porti është i tyre, paratë e rindërtimit janë të tyre, taksat tuaja janë të tyre. Kështu e kanë menduar Durrësin, kështu e kanë trajtuar Durrësin, kështu e kanë trajtuar të gjithë Shqipërinë 8 vite me radhë”, u shpreh Basha.

“Së bashku nuk ka forcë të na ndalë në fitoren më të thellë, në fitoren më të bukur, me pjesëmarrjen më të madhe siç do të jetë ajo e 25 prillit. Sepse më 25 prill do ndahen dy epoka, do mbyllet dera e tranzicionit, do të hapet dera e Europës me një brez të ri, të gatshëm, të sfiduar nga vite të gjata vuajtjesh e mashtrimesh”, theksoi Basha.

“Bëjeni të mundur edhe çlirimin e Partisë Socialiste nga zinxhirët që e mbajnë peng të bandave, peng të krimit, peng të shitblerjes së votës. Edhe sot, e keni parë nga zhvillimet, e vetmja shpresë marifetet e vjetra. Nuk kanë për të funksionuar marifetet e vjetra. Koha e Edi Ramës ka mbaruar, ka ardhur koha e shqiptarëve, bëhemi bashkë, bashkë për ndryshimin. Votoni numrin 9 dhe të fitojmë të gjithë së bashku”, tha Basha. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.