Basha, korrieri i radhës i një historie që në 25 prill duhet të bëhet e shkuar e përfunduar

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Lulzim Basha është korrieri i radhës i një historie që në 25 prill duhet të bëhet e shkuar e përfunduar, e pakthyeshme dhe e harruar.

Në fjalën e mbajtur në takimin përmbyllës të fushatës në kryeqytet, Rama tha se, “historia jonë ka plot raste kur në momentet kur sfidat janë bërë të rënda dhe kur e përpjeta është bërë sfiduese, korrierët e mallkimit janë shfaqur dhe i kanë folur shqiptarëve me zëra joshës, me zëra të ndryshëm, emra të ndryshëm, kohë të ndryshme, fytyra të ndryshme, arsye të ndryshme, po zëri është po ai”.

“Zëri që i fton ta lënë betejën. Zëri që iu thotë ky vend nuk bëhet, prandaj kap ça të kapësh. Zëri që kërkon t’i bindë se rruga e shkurtër pas korrierit është rruga që do t’ju japë atë që puna nuk e jep dot, atë që ndershmëria nuk e jep dot. Atë që këmbëngulja, vullneti, vendosmëria nuk e japin dot. Atë që durimi nuk e jep dot. Dhe historia e ka treguar sesa shtrenjtë e kanë paguar shqiptarë vajtjen pas berihait të këtyre korrierëve”, tha Rama.

“Edhe Lulzim Basha, edhe autokolona, vijnë nga historia. Nuk janë pjesë e asaj që rreh në zemrat e njerëzve. E asaj që i mundon mendjet e njerëzve. E gjithçkaje që brenda njerëzve sot zien për 1000 arsye të mirëkuptushme. Jo, jo! Sepse nuk ka forcë që del nga nevoja e brendshme, për çfarëdo ndryshimi, për çfarëdo përparim, për çfarëdo sfide, të një populli dhe që shfaqet me brutalitetin e paramilitarëve dhe që është e gatshme t’i marrë jetën njerëzve që nuk janë në autokolonë, nuk ka”, theksoi Rama.

“Lulzim Basha është një shfaqje e një forme të ndryshme. Në dukje europianiste, në dukje e okllaisur, e buzëqeshur, e shkathët në mënyrën sesi flet, por nuk është një figurë e nxjerrë nga nevoja, nga aspirata, nga domosdoshmëria e popullit për të pasur një opozitë. Është korrieri i radhës i një historie që në 25 prill duhet të bëhet e shkuar e përfunduar, e pakthyeshme dhe e harruar”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.