Tirana është Amerika e vogël e Shqipërisë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar Tiranën si Amerikën e vogël të Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur në takimin përmbyllës të fushatës në kryeqytet, Rama tha se Tirana mbledh të gjithë shpresat e shqiptarëve nga të gjithë krahinat që kanë ardhur. Ai theksoi se vota më 25 prill për PS është për më shumë çerdhe, kopshte dhe shkolla për fëmijët.

“Është e mundur, është shumë e mundur. Shikojeni Tiranën, Ka pakënaqësi në Tiranë. Tirona nuk është e mirë, ka pakënaqësi, madje dhe ato autokolona e armatosura që kërkon të rikthehet për ta rikthyer Tiranën në kohën e gërhitjes së madhe gjithë shpresën e kanë se ka pakënaqësi në Tiranë. Si të mos ketë pakënaqësi në Tiranë? Si mos të ketë? Tirana kur ne e morëm përsipër ta nxirrnim nga zullumi, s’kishte pakënaqësi, njerëzit ishin pajtuar me zullumin e llumit të Tiranës. S’kishte të pakënaqur, ama, e keni parasysh atë shprehjen: hë, si ke qenë? – Gjallë! – Si më gjallë, ça bënë? – Gjallë. Nga shtëpia mirë? – Gjallë… Këtu kishte rënë i gjithë pazari i ambicies, “gjallë”, “shtyjmë”, nuk kishte si të kishte pakënaqësi atëherë”.

Tani pakënaqësi, po patjetër, sa më shumë pakënaqësi, aq më shumë shpresë, aq më shumë energji, por pyetja është se çfarë do të bëjmë me pakënaqësinë? Jemi të pakënaqur që jemi këtu, duam të ishim atje, gjëja më e mirë në botë, po, por do shkojmë atje, duke u kapur me njëri-tjetrin, duke kërcyer apo duke u ulur e duke thënë se nuk bëhet kjo punë. E Para është PS, të dytët janë ata të autokolonës.

“Unë qytetarëve të Tiranës, këtu kam parasysh që Tirana është Amerika e vogël e Shqipërisë. Tiranë është vendi ku fliten të gjitha mënyrat e shqipes. Tirana është vendi nga ku kanë ardhur të gjithë krahinat, zakonet, historitë, dhe janë mbledhur të gjitha ëndrrat dhe shpresat, njësoj sikur Amerika dikur mblidhet shpresat dhe ëndrrat e një bote të tërë”, – tha Rama.

“Unë atyre ju them, kujt do t’ia lini fëmijët, kujt do t’ia lini të drejtojnë çerdhet? E di, duhen më shumë, jam dakord. Edhe kopshtet kujt do t’ia lini? Kujt do t’ia lini në dorë shkollat që duhen patjetër më shumë? Kujt do t’ia lini? Kujt do t’ia lini në dorë rrugën e fëmijës tuaj, kujt? Kujt do t’ia lini fatin e vajzës dhe djalit, që të zërë vendin atje siç e meriton, apo prapë do ia lini autokolonës, të vendosë kë merr, kë lë dhe kë vret, kujt do t’ia lini? Kujt do t’ia lini, që të rrisë më tej pagat tuaja? Po ju dyqanxhinjtë e Tiranës, ju sipërmarrësit e vegjël, qoftë nga Konispoli, Librazhdi, Puka, ju që jetoni me një biznes të vogël, kujt do t’ia lini punën e taksave të tuaja? Do e mbani 0 siç e keni, apo do shkoni pas berihajit, do futeni në autokolonë?

“E dini kush ju pret atje? E patë ata që dolën nga autokolona dje, janë vetëm një pjesë. Ata janë ata dhe këtë e kam me studentët, që po të kishit dalë ju, ose po t’ju dilni ju, ose të ishin ata, juve që jo do tallnit atë që s’thuhet, kur thoshte kryeministri kur do flasim, por juve s’do dinit ku të iknit, me të katra, kur t’ju turrenin njerëz që duken sikur vijnë nga zgafellat e historisë për t’ju sakatuar, për t’ju mbyllur gojën, për t’ju trajtuar si qen, jo si fëmijët e shqiptarëve. Me ata do bëni protesta ju, me ata do mblidheni ju në auditore dhe do bënit dialog? Me ata do mblidheni ju nëpër auditore dhe do keni përballë dikë që ju dëgjon, patjetër ju kthej dhe përgjigje, se unë gojën për të folur e kam, por ju dëgjoj”, – tha Rama.

“Sot ju ekselentët, nuk paguani asnjë lek, por shteti i paguan për ju, nesër autokolona ju merr dhe ju ftillon biografinë: i kujt je? Për kë ka votuar babi? Po mami me kë është? Sa lekë ke? Do vish me ne? S’do vish me ne? – etj., etj., dhe këto s’janë gjëra që unë i imagjinoj, se janë gjëra që kanë ndodhur, janë të gjitha gjëra që kanë ndodhur”, u shpreh Kryeministri Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.