TIRANË, 21 prill/ATSH/- Pas sondazhit të fundit për shpërndarjen e mandateve në të 12 qarqet dhe në nivel kombëtar, ku PS rezultoi me 69-73 mandate, PD-AN me 56-58 mandate dhe LSI me 8-10 mandate, instituti prestigjioz italian Piepoli publikoi të dhëna për fluksin elektoral.
Si rezultat i sondazhit, ajo që vihet re është se partia që ka humbur më shumë votues krahasuar me zgjedhjet e 2017 është LSI-ja, për t’u ndjekur nga PDIU dhe më pas PD-PS.
10.2% e qyterarëve shqiptarë janë ende të pavendosur se kë do të votojnë edhe pse kanë mbetur 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Kjo kategori votuesish është pyetur nga Instituti Piepoli se cilin kanë votuar në 2017 dhe 44.3 % e tyre thonë se kanë qenë votues të Partisë Socialiste. 21.9 përqind thonë se kanë votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 16.2 përqind Partinë Demokratike. Përqindjet e tjera i përkasin PDIU dhe forcave të tjera politike.
PD dhe PS humbin shumë pak nga votuesit e 2017-s, LSI-në e braktisin gati gjysma e atyre që e votuan
Pothuajse gjysma e votuesve që e kanë votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në vitin 2017 kanë vendosur që të mos e votojnë më këtë forcë politike në këto zgjedhje. 48.9% e atyre që kanë besuar te LSI para 4 vitesh nuk e kanë më këtë besim. Shifër interesante është edhe ajo e PDIU-së së Shpëtim Idrizit, e cila ka humbur 15.9% të votuesve të saj. Të papërfillshme janë humbjet nga radhët e votuesve të tyre për PS dhe PD, respektivisht 6.5 dhe 6.7 përqind.
Të zhgënjyerit e LSI-së në 25 prill do votonin PS-në krahasuar me PD-AN
Ndonëse janë zhgënjyer nga LSI-ja, ato do të votonin sërish këtë forcë politike në zgjedhjet e 25 prillit. Megjithatë, ajo që vihet re në sondazhin e publikuar mbrëmjen e të martes nga Instituti Italian Piepoli është se 29.5% do të votonin PS, e ndërsa një përqindje më e vogël do shkonin për PD-AN. Më konkretisht 17.2% të votave.
Të zhgënjyerit e PDIU do zgjidhin PS-në para LSI-së
Votat e të zhgënjyer të PDIU në këto zgjedhje do të shkonin për PD-AN-në, ose e thënë në me anë të shifrave 84.1% për koalicionin opozitar, 15.9% për PS. E ndërsa ajo që ia vlen të theksohet rezulton se asnjë prej tyre nuk do të votonin për LSI-në, apo për ndonjë parti të vogël.
Të zhgënjyer e PD-së s’i japin votën LSI-së! Do votonin për PS, PSD dhe Nisma Thurje
Referuar sondazhit të Piepoli të zhgënjyerit e PD-së do të preferonin më tepër PS-në se LSI-në në këto zgjedhje. Më konkretisht, 93.3% do të votonin sërish për koalicionin opozitar, e ndërsa 3.8% e votave do të shkonin për PS-në. Nga të zhgënjyerit e PD-së, LSI-ja do të merrte vetëm 0.3% të votave, shumë më pak se PSD-ja e Tom Doshit apo Nisma Thurje, ku kandidon një ish-demokrate, vajza e Azem Hajdarit një prej themeluesve të PD-së, Rudina Hajdari.
93.5% e socialistëve do të votonin sërish PS në 25 prill, pjesa tjetër për PD, shumë pak për LSI
Socialistët e zhgënjyer do të votonin sërish për PS-në në zgjedhjet e 25 prillit dhe ajo që vihet re se kjo është në përqindje shumë të madhe. Më specifikisht, sipas sondazhit të bërë nga Instituti Piepoli, publikuar sot në Report Tv, 93.5% e të zhgënjyerve do të votonin sërish PS në këto zgjedhje. Pjesa Tjetër do të ndahej mes PD dhe LSI, ku për këtë të fundit do të votonin më pak edhe pse në ideologji janë të majtë dhe kanë qeverisur më herët me socialistët.
44% e shqiptarëve kanë vendosur votën pro qeverisë prej vaksinimit
Fushata e vaksinimit masiv ka bërë që një përqindje e madhe shqiptarësh të ndryshojnë mendimin e tyre për Qeverinë dhe të binden ta votojnë Partinë Socialiste. Në sondazhin e Piepolit, 44% thonë që nuk kanë ndryshuar mendim. Vetëm 6% e të pyeturve thonë se kanë ndryshuar mendimin në negativ dhe e gjitha fushata e vaksinimit e ka bindur të votojë kundër./Report TV/































