Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm, bujqësi e agroturizëm

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Nga Fieri, Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë kampione në Ballkan në fushën e turizmit, bujqësisë, e agroturizmit.

“Ne kemi sot rreth 400 milionë euro eksporte më shumë krahasuar me 2013-ën kur kishim rreth 100 milionë euro. Por ne kemi mundësinë e duhet të vazhdojmë punën që t’i çojmë mbi 1 miliard euro”, tha Rama.

Rama u shpreh se, “ne i kemi mundësitë të shikojmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm e bujqësi e midis këtyre të dyjave qëndron agroturizmi”.

“Qarku i Fierit është zona me potencialin më të jashtëzakonshëm për agroturizmin, zona ku ka kaq shumë arsye për të shkuar nga një stacion në tjetrin dhe ku ne mund të ndërtojmë me ata njerëz që besojnë të puna një të ardhme që të jetë e ardhmja që të gjithë dëshirojmë për fëmijët tanë, në shtëpitë tona, por ama të jetë një e ardhme e përbashkët në shtëpinë e përbashkët që quhet Shqipëri”, deklaroi ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.