Kryemadhi: Programi i LSI i fokusuar në 5 prioritete, asnjë rëndesë për buxhetin e shtetit

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Gjatë një interviste televizive kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, foli për premtimet e kësaj force politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, marrëdhënien me Partinë Demokratike me të cilën ajo ka firmosur një marrëveshje për bashkëqeverisje apo dhe qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi e procesit të vaksinimit kundër COVID-19.

Rreth premtimeve të LSI-së gjatë kësaj fushate, Kryemadhi u shpreh se “unë do ju përgëzoja shumë për pyetjen tuaj, sepse në të gjitha televizionet që shkoj debatin kryesor e kemi “më the të thashë”, por asnjë nuk na jep mundësinë dhe artikulimin që ne të flasim për programet tona.

“Ne si LSI me grupin e punës dhe të programit kemi artikuluar 5 prioritete kryesore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me arsimimin e të rinjve që është një nga prioritetet tona kryesore dhe rritja e standardit të cilësisë së arsimit, çështjen e punësimit të të rinjve duke pasur ata paga të mirëpaguara. Është projekti më i bukur që ka një përkrahje të jashtëzakonshme sidomos te çiftet e reja dhe tek të rinjtë “Nga bebja në bebe”. Prioriteti për bujqësinë, me pajisjen me kartë të fermerit që krijon ndihmën e drejtpërdrejtë, jo vetëm përsa i përket mosfunksionimit të subvencioneve të cilat për hir të së vërtetës kur flitet për subvencione në Shqipëri të gjithë fermerët e mendojnë fjalën korrupsion, sepse asnjë herë subvencioni nuk shkon drejtpërdrejtë tek ata, por ngel rrugës nëpër zyrat burokratike të institucioneve shtetërore”, tha ajo.

Po ashtu, Kryemadhi shton se dhe një nga pikat tona kryesore është dhe rimbursimi me 5% të shpenzimeve, e cila krijon mundësinë e formalizimit të ekonomisë shqiptare.

“Nëpërmjet kësaj skeme të rimbursimit të 5% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ata deri në fund të vitit do të kenë mundësi që ose në fund të çdo muaji, sepse kjo varet, krijon hapësirën e rikthimit të një vlere monetare, që për disa familje mund të shërbejë për pagesën e internetit, për pagesën e çerdhes apo kopshtit të fëmijëve të tyre, për të shtuar një shpenzim tjetër në shtëpi apo për të ndihmuar edhe prindërit e tyre nëpërmjet një pensioni shtesë në fund të vitit. Ndërkohë që nga ana tjetër rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Jo për shkak të analizave që ka bërë LSI, por si rezultat i të gjithë raporteve të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, qoftë Banka Botërore, qoftë FMN, qoftë edhe raporti i fundit i CIA-s ku thuhet që 50% e GDP është informale, që i bie rreth 7 miliard dollar të cilat nuk taksohen, janë para që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit. Kjo gjë nuk bëhet nëpërmjet grykëve të pushkës apo taborëve të policisë, të cilët kërcënojnë bizneset e vogla, por asnjëri nuk merr guximin për të vajtur te bizneset e mëdha, tek oligarkët . Dhe çfarë ndodh, është që jo vetëm ka rritur normën e korrupsionit, por ka bërë që arkës së shtetit t’i shkojnë më pak para. Një sistem i tillë ku të gjithë qytetarët janë të interesuar për të formalizuar ekonominë, nuk është skemë e shpikur nga ne, është skemë e cila ka funksionuar në formalizimin e ekonomisë së shumë vendeve që kanë kaluar në periudhën e tranzicionit. Shumë vite më parë e ka bërë Greqia, Turqia, Italia dhe shumë vende të tjera europiane”, u shpreh Kryemadhi.

“Për të folur pastaj për arsimin, taksën 1% për bizneset e mëdha, e cila është një taksë që shkon vetëm për arsimin, sepse ndodh rëndom që ne paguajmë 340 lekë litër naftë për taksën e rrugës së Kombit, por në fakt këto para nuk shkojnë për rrugën e Kombit, sepse do ta kishim paguar 10 herë deri tani, por duhet të shkojë drejtpërsëdrejti tek arsimi. Dhe me këtë 1% arrijmë që ne të mbajmë dhe premtimin e 5% të GDP për arsimin”, tha ajo.

Në lidhje me pyetjen se a ka një faturë financiare të këtyre ndërhyrjeve, Kryemadhi u shpreh se, “sigurisht që ka një faturë, por nuk ka investim nga buxheti i shtetit. Kur ne kemi bërë propozimin për 5% e rimbursimit të familjeve shqiptare ne kemi bërë dhe një konsultim me ekspertë të bankave të niveleve të dyta, të cilat janë goxha të interesuara sepse fillon jo vetëm formalizimi nëpërmjet sistemit bankar, fillon në një farë mënyre edhe inventarizimi i të gjithë lëvizjes monetare, që do të ndodhë në ekonominë shqiptare. Por nga ana tjetër fillon dhe qarkullon vlera monetare, e cila qëndron dashje pa dashje e bllokuar në familjet shqiptare për shkak të frikës së panikut të pandemisë, të krizave ekonomike që ndodhin herë pas here”.

“Dhe bankat e nivelit të dytë janë ato më të interesuara se kushdo tjetër për ta krijuar një sistem të tillë për shkak edhe të qarkullimit të vlerave monetare, që vijnë nëpërmjet dyqaneve, sepse në shumë dyqane njerëzit e konsumojnë blerjen e bukës 700 lekë të vjetra, por nuk e paguajnë me një kartë krediti. Por ama një familje do ta merrte TVSH-në e 700 lekëve të vjetra të bukës, që i bie gati 140 lekë të vjetra, ku çdo ditë për dy bukë i thonë 280 lekë të vjetra. Në 280 lekë që konsumojnë familjet shqiptare, shto sheqerin, shto vajin, shto orizin, shto vezën, të gjitha janë para të cilat asnjëherë nuk marrin as faturën tatimore, as nuk deklarohen dhe as nuk janë pjesë e shpenzimit të përditshëm. Kur ne bëjmë përllogaritjen më të thjeshtë, sipas raportit të Bankës Botërore, minimumi jetik në Shqipëri është 2 dollarë në ditë për frymë, që do të thotë vetëm në Tiranë jetojnë gati 1 milionë qytetarë. Në bazë ne të dhënave të Partisë Socialiste janë 910 mijë votues, pa llogaritur familjet. Pra llogarisni sa para janë, të cilat qarkullojnë në jetën e përditshme, të cilat nuk tatohen absolutisht dhe nuk derdhet asnjë lloj tatimi në buxhetin e shtetit”, tha Kryemadhi.

Duke folur për programi i LSI, Kryemadhi theksoi se jemi rakorduar me PD për 5 prioritete dhe 13 pika të tjera, bashkëpunimi me PD i domosdoshëm për të çuar vendin përpara

“Sigurisht që jemi rakorduar dhe kemi rënë dakord. Ne kemi qenë për taksën e sheshtë 10 % dhe Partia Demokratike ishte për 9% dhe u dakordësuam për numrin 9. Ndërkohë që për të gjitha këto 5 prioritete, për të cilat ne i kemi quajtur të qarta që janë 5 prioritete të panegociueshme, normalisht që janë të realizueshme dhe nuk kanë asnjë lloj përplasjeje me angazhimet e Partisë Demokratike. Ashtu sikurse, edhe në marrëveshjen e 1 marsit që ne kemi firmosur me Partinë Demokratike, janë edhe 13 pika të tjera, për të cilat ne jemi angazhuar bashkarisht politikisht të dy kryetarët e partive në emër të forcave politike që ne përfaqësojmë”, theksoi ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.