Peleshi: Së bashku në 25 prill për të rinjtë

TIRANË, 17 prill/ATSH/- Të rinjtë do të jenë në fokus gjatë mandatit të tretë qeverisës. Kjo ka qenë ftesa që drejtuesi politik i qarkut të Korçës i ka bërë të rinjve në takimin e zhvilluar me ta në stadiumin “Skënderbeu”.

Sipas Peleshit, lulëzimi i turizmit në Korçë ishte bazë e projekteve të hartuara më herët, ndërsa tani është radha e inovacionit, si një fushë që do të sigurojë dhe ofrojë mundësi punësimi për mijëra të rinj.

Për këtë arsye kandidati i Partisë Socialiste, Niko Peleshi, kërkoi që në 25 prill t’u kthehet kurrizi modeleve të vjetra dhe të përfaqësohet besimi për Korçën e re, të punës dhe inovacionit.

“Katër vjeçari i ardhshëm është një segment në rrugëtim tonë. Një rrugëtim në ngjitje jo një rrugëtim horizontal. E në këtë segment ne do të bëjmë bashkë rrugën më të bukur sepse është rruga e mundësive të të rinjve. Sot nuk jemi në Korçën e 2007-ës. Sot nuk flasim për kanalizime, për gropa në bulevard, për mungesën e një qendre sportive, apo të një teatri, të një muzeu apo të një pazari, të një qendre historike. Sot i kemi të gjitha ato, por sot na mungojnë disa gjëra të tjera. Na mungojnë mundësitë për t’u punësuar në profesione për të cilat jemi shkolluar apo jemi trajnuar. Në bazë të një projekti të Korçës ne lindëm një sektor të ri, sektorin e turizmit. Gjithçka bëhet me funksion ekonominë, në funksion të saj. Do të ecim së bashku duke hapur fronte të reja. Siç hapëm turizmin do të hapim inovacionin. Inovacioni është një mundësi pafund, sepse është një treg që nuk ka konkurrencë”, tha Peleshi.

“Jemi rrethuar nga modele të ndryshme në shoqëri. Disa janë të drejta disa janë të shtrembra. Ftesa ime për ju sot është, kthejini kurrizin modeleve të vjetra, kthejini kurrizin rrugës së shkurtër. Përqafoni modelet e reja të punës, modelet e reja të projektimit. Bashkia dhe Partia Socialiste është një portë e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë më shumë se vetja. Oferta ime është që të bëhemi bashkë, të votojmë Partinë Socialiste në 25 prill. Ti japim besimin, të bëhemi pjesë e faqeve më të mira të Korçës së re, të Korçës së punës, të Korçës së inovacionit”-përfundoi fjalën e tij kandidati për deputet i Partisë Socialiste Niko Peleshi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.