Tabaku kallëzon në SPAK Veliajn: Punime pa tender në periudhë zgjedhore për të mashtruar qytetarët

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Tiranën, Jorida Tabaku kallëzon në Prokurori Erion Veliajn për punimet pa asnjë projekt dhe prokurim në disa rrugë të njësisë 2, ku po hidhet asfalt elektoral.

“Sot kanë ardhur për të hedhur asfalt elektoral, me një kompani pa tender, me një kompani e cila nuk dihet kush është. Kanë ardhur këtu dhe kanë hedhur zhavorr, siç po bëjnë në pjesën më të madhe të rrugicave të degës numër 2. Kjo rrugicë sot denoncohet dhe shkon në SPAK. Erion Veliaj, Florian Pullazi, kushdo tjetër që bën vepra të tilla penale, do të denoncohet për krimet elektorale”, tha Tabaku.

Kandidatja për deputete e PD tha se askush s’mund t’i mashtrojë më qytetarët me copa asfalti që u hidhen vetëm për t’u marrë votën.

“Investime si ky që po bëhen në rrugicat e degës 2, janë thjesht shembulli i paaftësisë së tyre, i arrogancës së tyre. Këta nuk ofrojnë dot asgjë tjetër përveç këtij modeli. Këta i kanë lënë më harresë qytetarët e Tiranës. Mos harroni! Mos harroni që ata që ju varfëruan për 8 vite, ata që ju detyruan të largoheni për 8 vite, ata që kanë shkaktuar korrupsionin më të madh në 8 vite nuk mund të ndryshojnë”, tha ajo.

Për këtë arsye ajo i ftoi qytetarët që ta largojnë këtë model me votë më 25 prill.

“Unë ju ftoj të gjithëve, të votojmë masivisht kundër këtij modeli, të votojmë masivisht për Partinë Demokratike, për numrin 9, për një qeveri normale, të votojmë masivisht për ofertën që ne kemi, për një qeverisje çdo ditë me njerëzit dhe çdo ditë me qytetarët. Ta harrojnë se mund t’i blejnë votat në këtë mënyrë. Ta harrojnë se banorët e kësaj zone po të gjithë degës numër 2, do t’i votojnë”, u shpreh Tabaku.

Gjithashtu kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Tiranën, Gent Strazimiri shprehet se, ” ne do të bëjmë kallëzimin penal për autorët e kësaj maskarade, drejtuesit e PS, kandidatët e PS, Erion Veliaj dhe Etilda Gjonaj në bashkëpunim. Me votën tonë të përbashkët në 25 prill do të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, do të fshijmë çdo ndarje që kjo bandë në pushtet u ka bërë socialistëve dhe demokratëve që jetojnë në të njëjtin hall”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.