Briken Calja, medalje argjendi dhe bronzi në Europian/ Meta: Sukses i merituar

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Peshëngritësi shqiptar Briken Calja ka fituar Medaljen e Argjendit në shtytje dhe të Bronzit në dygarësh, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë.

Presidenti Ilir Meta uroi sot nëpërmjet një bisede telefonike kampionin kuqezi për këtë sukses.

“Një tjetër sukses i merituar personal dhe një ngjarje e madhe për peshëngritjen tonë, që për të pestin vit radhazi siguron medalje në garat ndërkombëtare konkurruese, falë talentit, punës e përkushtimit të Kampionit Calja dhe trajnerit të tij të madh Gerald Toska”, u shpreh Presidenti Meta.

“Sportistë të kalibrit të tij na lumturojnë, na nderojnë dhe na bëjnë krenarë të gjithëve. Ata janë jo vetëm model frymëzimi për gjeneratat e reja, por edhe ambasadorët tanë më të mirë në botë”, tha Meta.

“Duhet t’u jemi përherë mirënjohës dhe mbështetës të gjithë sportistëve elitarë kuqezinj si Brikeni, të cilët e lartësojnë flamurin dhe imazhin e Shqipërisë, aty ku faqezinjtë e politikës sonë nuk kanë arritur dot. Jam i bindur se sukseset më të mëdha të Kampionit tonë të peshëngritjes do të jenë ato të radhës”, u shpreh Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.