TIRANË, 1 prill/ATSH/ Disa të rinj shqiptarë të cilët kanë nisur startup-et e tyre patën shansin të vizitojnë virtualisht nga afër “Silicon Valley-n” në SHBA.
Përmes një projekti të përbashkët mes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Junior Achievement of Albania (AADF), të rinjtë e talentuar patën mundësi të prezantojnë idetë e tyre te biznesit para investitorëve amerikanë dhe kanadezë. Finalizimin e projektit të iniciuar nga Kryeministri Rama, e lajmëroi drejtoresha e AKSHI-it Linda Karçanaj.
“U finalizua një ëndërr për të rinj shqiptarë të talentuar që projektin e tyre startup ta nisin mes më të mirëve. Privilegji im që u ndodha mes tyre në këtë ditë të madhe”, u shpreh Karçanaj.
Pjesë e kësaj mundësie janë bërë disa dhjetëra të rinj të cilët pas një trajnimi të gjatë me ekspertë ndërkombëtarë u përpoqën të bindin investitorët për idenë e tyre start-up.
Startup-et e përzgjedhura ishin pjesë e një programi intensiv përmes workshop-esh në lidhje me zhvillimin e idesë së tyre të biznesit.
Të rinjtë shqiptarë u trajnuan me disa kurrikula të njohura ndërkombëtare për inkubimin/akselerimin e start-up-eve. Programi zgjati disa muaj dhe përfshiu trajnime dhe konsulencë me trajnues të njohur.
Në fazën finale të programit, të rinjtë e përzgjedhur mundën të vizitojnë virtualisht Silicon Valley-n duke u takuar me investitorë të mundshëm nga SHBA-ja dhe Kanadaja, si dhe duke u njohur me eksperienca të ngjashme, me qëllim krijimin e bashkëpunimeve.
/r.e/

























