TIRANË, 24 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini u shpreh optimiste sot se duke nisur nga java që vjen do të nisë vaksinimi masiv i popullatës.
Gjatë një interviste në medie, Tomini theksoi se megjithëse pritet që të finalizohet sonte marrëveshja me Turqinë për vaksinën kineze, ne kemi besim se do të sigurohet sasia e mjaftueshme për të nisur një vaksinim prej 12-15 mijë dozash në ditë.
“Janë bërë tentativa për të marrë një sasi të konsiderueshme për të filluar. Kur themi vaksinim masiv kemi parasysh 12.000-15.000 mijë vaksina në ditë, kjo do të thotë se sasia që parashikohet në kontratë është shumë shpresëdhënëse për të arritur një imunizim masiv. Parashikohet që në ditët në vijim të kemi sasitë e para mbas finalizimit deri në mbrëmjen e sotme të kontratës me Turqinë, ndërkohë që java tjetër fillon me iniciativë masive të vaksinimin për të arritur një imunizim masiv të situatës”, u shpreh Tomini.
Tomini sqaroi se do të ketë një vaksinimin të kombinuar, ku do të vijohet procesi me “Pfizer”, “AstraZeneca” dhe “Sputnik”, ndërsa do të fillojë edhe vaksinimi me vaksinën kineze.
“Do të ketë vaksinim të kombinuar. Po vijojmë me vaksinën ‘Pfizer’ me dozë të dytë, po vijojmë me ‘AstraZeneca’ me dozë të parë, që të lejojmë një hapësirë komunikimi për 8-12 javë që duhet marrë dozë e dytë. ‘Sputnik’ është në në proces për aplikim dhe pritet të nisë vaksinimi me vaksinat për të cilat po negociojmë. Fashat do të gërshetohen”, tha ajo. /a.a/r.e/























