50% financim falas/ Skema Kombëtare, mbështetje të drejtpërdrejtë projekteve në agroturizëm 

TIRANË, 22 mars /ATSH/ Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2021 e financuar nga buxheti i shtetit adreson mbështetje të drejtpërdrejtë për projektet në agroturizëm.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor Rural njoftoi se Skema Kombëtare ka dy masa që mbështesin agroturizmin.

Masa 8 mbështet ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5.000.000 lekë për subjekt.

Përfituesit e mundshëmjanë subjektet me status fizik, juridik ose SHBB të regjistruar në QKB për aktivitetin që aplikojnë.

Investimet e pranueshme janë në zonat rurale. Subjektet duhet të aplikojnë me plan biznezi 5-vjeçar, sipas modelit zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të AZHBR: www.azhbr.gov.al
Investimi nuk duhet të fillojë para lidhjes së kontratës. Leja e ndërtimit /rikonstruksionit të sigurohet para lidhjes së kontratës, por jo më vonë se 60 ditë pune nga data e përfundimit të aplikimeve. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Masa 9 mbështet investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit, në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10 000 000 lekë për subjekt.

Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.