Ballina Ekonomi

Faturat në sektorin e hotelerisë dhe turizmit/ Procedura që duhet të ndiqet për fiskalizimin

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Tatimpaguesit që kryejnë aktivitet në sektorin e shërbimeve (bar, restorant, hotel, agroturizëm, etj.), duke marrë në konsideratë edhe afrimin e sezonit turistik, mund të përdorin “faturat tatimore “porosi” dhe faturat tatimore përmbledhëse”. Lëshimi dhe fiskalizimi i faturës së porosisë duhet të bëhet në të njëjtin moment me furnizimin e porosisë për klientin. Në momentin e largimit të klientit, moment në të cilin kryhet edhe pagesa, tatimpaguesi duhet t’i lëshojë klientit një faturë përmbledhëse dhe ta fiskalizojë atë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi mbi procedurën që duhet të ndiqet për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave.

Për tatimpaguesit, të cilët kryejnë furnizime të shërbimeve të natyrës restorant, apo ambjente të tjera ku konsumohen pije dhe ushqime, dhe kur pagesa nuk kryhet në momentin e porosisë, lëshimi dhe fiskalizimi i faturës së porosisë duhet të bëhet në të njëjtin moment me furnizimin e porosisë për klientin. Me porosi të kryer nuk kuptohet porosia nga çdo person, por porosia e kryer për çdo tavolinë. Kjo faturë mund edhe të mos printohet por detyrimisht duhet të lëshohet dhe fiskalizohet. Nëse klientët nga e njëjta tavolinë kryejnë porosi të tjera, atëherë me dorëzimin e çdo porosie lëshohet dhe fiskalizohet edhe fatura e pasuese e porosisë, e cila gjithashtu mund të mos printohet. Çdo faturë e veçantë e lëshuar për çdo porosi duhet të ketë si metodë pagese të shënuar “porosi” dhe titulli në faturë duhet të jetë “faturë tatimore/porosi”.

Në momentin e largimit të klientit, moment në të cilin kryhet edhe pagesa, tatimpaguesi duhet t’i lëshojë klientit një faturë përmbledhëse dhe ta fiskalizojë atë. Fatura përmbledhëse duhet të përmbajë si referencë dhe të përfshira në të, të gjitha faturat e veçanta të lëshuara dhe të fiskalizuara (pra NSLF-të e secilës faturë të veçantë). Vetëm Fatura përmbledhëse e fiskalizuar, do të regjistrohet në librin e shitjeve të tatimpaguesit dhe do të merret në konsideratë për qëllim të llogaritjes së TVSH-së në shitje. Vetëm në këtë moment, faturat porosi të lidhura me faturën përbledhëse nuk merren më në konsideratë për llogaritje të qarkullimit. Por, çdo faturë/porosi e veçantë dhe fatura përmbledhëse duhet detyrimisht të fiskalizohen në momentin e lëshimit.

Në shërbimet e hotelerisë, gjithashtu procedura e faturimit është e lidhur ngushtësisht me momentin e pagesës.

Në rastet kur, në momentin e rezervimit të hotelit ose në momentin e mbërritjes së klientit në hotel është arkëtuar parapagim i plotë ose i pjesshëm prej hotelit, fatura e fiskalizuar me TVSH-në përkatëse lëshohet në momentin e arkëtimit të parapagimit sipas përcaktimeve në Ligj dhe në udhëzim, si dhe deklarohet në librat e shitjes dhe blerjes në muajin në të cilin është arkëtuar parapagimi. Në këtë rast, në momentin kur klienti largohet nga ana e hotelit lëshohet fatura përmbledhëse për shërbimin e kryer, ku stornohet vlera e faturës së fiskalizuar në momentin e parapagimit dhe llogaritet dhe deklarohet TVSH-ja për vlerën shtesë pas stornimit nëse ka.

Nëse për shërbimet e veçanta që klienti merr gjatë qëndrimit në hotel, likujdon faturën në momentin e kryerjes së shërbimit, kjo faturë lëshohet dhe fiskalizohet në momentin e pagesës dhe nuk përfshihet në faturën përmbledhëse që mund të lëshohet kur klienti largohet nga hoteli dhe shlyen detyrimet e tjera.

Mund të përdoret “faturat tatimore porosi” në të gjitha rastet kur klienti qëndron për disa ditë në hotel dhe paguan në momentin e largimit. Çdo faturë porosi për shërbime të ndryshme, e lëshuar për klientin përgjatë qëndrimit të tij në hotel, duhet që të përfshihet në faturën përbledhëse e cila lëshohet në momentin e pagesës. Faturat porosi nuk ndikojnë në gjendjen e arkës, përsa kohë me këtë dokument nuk arkëtohen para. Momenti i arktimit prcaktohet me faturën prëmbledhëse.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla prezanton kandidatët Ajazi dhe Roshin në Gramsh: Vetëm me PS dhe Edi Ramën vazhdojmë rrugën drejt transformimit
Artikulli tjetërFOTO-LAJM / Kryesojnë listën e Tiranës, Veliaj me Luljeta Bozon dhe Najada Çomon