SEUL, 4 mars /ATSH-DPA/ – Koreja e Veriut mund të jetë duke bërë përgatitjet për të rimarrë plutonium për armët bërthamore në kompleksin e saj të diskutueshëm bërthamor Yongbyon, sipas ekspertëve në Shtetet e Bashkuara.
“Imazhet nga satelitët tregtarë tregojnë se laboratori radiokimik, që shërben si një strukturë për ripërpunimin e shufrave të karburantit të harxhuar, është sërish në funksion, pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare”, thanë ekspertët për faqen e specializuar të lajmeve “38 North”, në Korenë e Veriut.
“Nga ripërpunimi i karburantit nxirret, ndër të tjera, edhe plutonium”, shtuan ata.
Në të njëjtën kohë, autorët theksuan se ishte e vështirë të përcaktoheshin aktivitetet e sakta në Yongbyon në bazë të fotove satelitore.
Verifikimi i pavarur i veprimtarive bërthamore në Korenë e Veriut nuk ka qenë i mundur pasi ajo dëboi inspektorët bërthamorë ndërkombëtarë nga vendi disa vjet më parë./ /ervo/























