Cila është marrëdhënia mes klimës dhe sëmundjeve infektive?

ROMË, 4 mars /ATSH/ – Sëmundjet infektive të shekullit XXI dhe Covid-19 kanë demonstruar thellësisht se ndikohen nga fenomenet mjedisore, klimatike, sociale dhe demografike, shkruhet në faqen italiane ilgiornale.it.

Sëmundje si ethet tropikale, ajo e Nilit Perëndimor apo Zikas në fakt tani janë përgjithmonë të pranishme edhe në gjerësitë tona gjeografike duke i sugjeruar mjekësisë një studim më të madh të epidemiologjive lokale dhe një bashkëpunim në rritje me disiplinat e tjera, përfshirë mjekësinë veterinare.

“Mjekësia moderne ka bërë përparime të mëdha. Sot biomaterialet implantohen në të gjithë trupin: protezat ortopedike, valvula zemre, gjiri, urogjenitale, pajisjet gjeneruese përdoren në tru për të stimuluar aktivitetin e trurit në pacientët me Parkinson. Të gjitha këto pajisje shërojnë pacientët nga patologjitë e tyre përkatëse, por ato përfaqësojnë një ‘tokë pjellore’ për zhvillimin e mikroorganizmave, i ashtuquajturi ‘biofilm’, në të cilin antibiotikët kanë vështirësi të depërtojnë”, nënvizon Claudio Mastroianni, nënkryetar i Shoqatës Italiane të Sëmundjeve Infektive.

Ekzistojnë gjithashtu ilaçe të reja të fuqishme biologjike për ata që vuajnë nga sëmundje reumatizmale, sëmundje kronike inflamatore dhe sëmundje onko-hematologjike.

“Këto terapi modifikojnë përgjigjen imune duke shkaktuar rrezikun e riaktivizimit të infeksioneve latente të tilla si tuberkulozi, hepatiti viral dhe infeksione herpetike. Roli i specialistit infektiv merr një rëndësi edhe më të madhe në qasjen ndaj pacientit dhe në njohjen e infeksioneve si një kullë e parandalimit”, paralajmëron profesor Mastroianni. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.