Reforma e uljes së çmimit të barnave/18 milionë dollarë kursim familjeve shqiptare

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, 18 milionë dollarë i kemi kursyer familjeve shqiptare nëpërmjet reformës së uljes së çmimit të barnave.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – SHËNDETËSIA QË DUAM”, Rama u shpreh se, “shëndetësia që kemi nuk krahasohet me shëndetësinë që kishim, është dita që s’krahasohet dot me natën, por Shëndetësia që duam, nuk është ende e krahasueshme me shëndetësinë që kemi. Është agimi me momentin e shkëlqimit të diellit”.

Duke treguar disa fakte, Rama u shpreh se, “deri disa vite më parë 600 mijë qytetarë të këtij vendi të pasiguruar për 1001 arsye, ishin të pa mbuluar, që do të thotë çdo ilaç duhet ta blenin, duhet ta paguanin dhe nuk mund t’iu rimbursohej. Janë 600 mijë plus që prej disa vitesh janë të mbuluar nga sistemi ynë shëndetësor me rimbursim ilaçesh dhe me vizitë falas tek mjeku i familjes”.

Nga ana tjetër, shtoi Rama: “Fakt. Nga programet e vaksinimit të fëmijëve dhe grupeve të rrezikuara kanë përfituar më shumë se gjysëm milioni shqiptarë. Mos e harroni në 2013-ën, zero”.

“I kemi kursyer buxheteve familjare, pra para’ të cilat deri dje shkonin në arkën e shtetit, sot prej vitesh mbeten në arkën e familjeve, 18 milionë dollarë nëpërmjet reformës së uljes së çmimit të barnave. A ju kujtohet apo s’ju kujtohet që barnat këtu kushtonin shpeshherë shumë më tepër sesa në vendin e origjinës? Ndërsa sot jo vetëm që nuk ka asnjë ilaç që kushton më tepër sesa në vendin e origjinës, por është hequr, taksa mbi ilaçet dhe po ashtu janë hequr tarifat për shërbime dhe për paketa shëndetësore të financuara në spitalet publike dhe jo publike. Paketa të tëra sot në spitalet jo pubike, private, financohen nga shteti për t’iu dhënë mundësi pacientëve që të përfitojnë prej tyre”, tha Rama.

“Lista e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 191 barna të reja dhe përfitimi i të gjithëve është fare fare i qartë. Financimi është rritur me 1/3”, theksoi Rama.

“Nuk e di a ju kujtohet një ngjarje, që u bë mediatike dhe që krijoi një sensibilitet publik për një zonjë, e cila qante në sytë e publikut dhe kërkonte ndihmë sepse nuk arrinte dot të mbulonte financiarisht shpenzimet për të mjekuar, për të kuruar tumorin. E pra prej atij rasti ne hymë në një proces për të mbajtur angazhimin që të garantojmë 100 % mbulimin falas për pacientët me kancer të gjirit apo me sëmundje malinje të gjakut”, tha Rama.

“Kjo u realizua dhe të gjitha gratë dhe vajzat që kanë nevojë për këtë mjekim, kanë nevojë për këtë kurë, mbulohen 100 % me financimin e kurës nga shteti”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.