“Agroturizmi, trendi më modern në ekonominë shqiptare”/ Mbështetje edhe më të madhe gjatë mandatit të tretë


TIRANË, 4 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bujtinave në Lezhë.

Rama shprehu kënaqësinë që po shtohen bujtinat në këtë zonë, duke u shprehur se ajo që po bëjnë ata këtu quhet trend.

“Ky është trendi më modern në ekonominë shqiptare sipas meje dhe jo vetëm në ekonominë rurale, por në ekonominë shqiptare”, tha Rama.

“Agroturizmi që ne më në fund arritëm ta penetrojmë deri diku në mendjen e shumë njerëzve në zonat rurale, është një industri me të ardhme të jashtëzakonshme në Shqipëri, për të gjithë ata që investojnë, por edhe për ekonominë tonë”, theksoi Rama.

“Çdo emigrant shqiptar që ka një tokë, një shtëpi të gjyshit, apo një histori familjare në Shqipërinë rurale dhe sidomos në zonat pak më të thella, si këtu, sesa fushat me të cilat jemi mësuar ne që fusha është bujqësia, nëse investojnë kursimet e tyre tek ky aset, nuk diskutohet që fitojnë më shumë sesa paga nga puna si të punësuar në një çfarëdo pune atje”, tha Rama.

“Është absolutisht e vërtetë që fitimet këtu shkojnë duke u rritur. Dhe nuk diskutohet që edhe deklarimet shkojnë duke u përmirësuar. Tani do fusim dhe sistemin e fiskalizimit që do të jetë e gjitha online, kështu që aty pastaj do dalin kush është kush komplet në këtë histori”.

Rama rikonfirmoi respektin dhe mbështetjen ndaj tyre, si dhe vendosjen e theksit edhe më të fortë në këtë fushë gjatë mandatit të tretë.

“Do vendosim një theks edhe më të fortë sepse tani kemi shumë shembuj sepse na është dashur të ndërtojmë shembuj se s’kishim. Ishin si pika uji në shkretëtirë. Restorante ka pasur, patjetër, por jo luks rural. Ky është luks rural. Luks rural për njerëzit e zakonshëm”, tha Rama.

Duke folur për situatën prej pandemisë, Rama tha se, “nëse ka një sektor që ishte në rrezik të jashtëzakonshëm dhe që ia ka dalë më mirë se çdo sektor në Shqipëri, është turizmi”.

“Natyrisht që jo aq mirë sa do kishte qenë po të mos ishte pandemia, por tmerri jonë ishte që këtu do falimentonin të gjithë. Faktikisht, jo vetëm që asnjë nuk falimentoi, por përkundrazi nuk dolën me humbje. Për të thënë më të paktën. Ose dolën me fitime modeste. Falë faktit që ne nuk mbyllëm kufirin me Kosovën. Flas këtu për gjithë turizmin bregdetar”, tha Rama.

Duke folur për linjat elektrike, Rama tha se, “janë linja të painvestuara që në kohën e elektrifikimit. Dhe ka linja plot që janë akoma të dobëta. Ne po vazhdojmë investimet”.

“Ky mandat që po mbyllet ka qenë i prerë me thikë në mes nga dy goditje të tmerrshme që na kanë spostuar shumë vëmendje, na kanë spostuar shumë fonde aty ku në fakt ne s’kishim parashikuar, sepse s’mund të parashikojmë as tërmete, as pandemi”, tha Rama.

Sa i përket TVSH-së, Rama tha se, “ne e bëmë 6 % për agroturizmin, e bëmë 6 % për turizmin”.

“I bëmë zero taksat për biznesin e vogël. Tani ju s’jeni aq të vegjël, edhe nga eksperienca, e kam unë, sa më i madh je, aq më shumë të ngarkojnë në kurriz, në një vend normal”, tha Rama.

“Unë e kam thënë naftën pa taksa për fermerët që në vitin 2013, u bë realiteti vetëm sot. Pra unë nuk e harrova premtimin. Problemi është që për ta realizuar duheshin krijuar mundësitë. Nuk e bënim dot përpara”, u shpreh Rama.

Rama tha se, “dëshirojmë të ngremë një shkollë me ju, një shkollë inovative, jo një shkollë klasike. Një shkollë me ju për pikërisht investimin në agroturizëm, por jo thjesht të ndërtojmë një bujtinë dhe të prodhojmë djathë. Por një agroturizëm i lidhur me historinë familjare dhe me historinë e zonës, siç është rasti këtu dhe përmes jush kjo shkollë të kthjellojë, të frymëzojë, të mësojë të tjerë”.

Altin Prenga, i “Mrizit të Zanave” tha se, “ka qenë një periudhë me pikëpyetje prej pandemisë. Nuk kemi pasur kurajon për të marrë iniciativa të tilla, por e kemi ëndërr të zbatojmë edhe atë me shpresën që të hapet edhe bota. Për momentin e mendoj se disa sipërmarrje këtu e kemi kaluar më mirë se sipërmarrje të tjera”.

Prenga i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Rama për rehabilitimin e rrugës kryesore.

“Po bëhet një punë shumë e mirë dhe po bëhet edhe rruga e Troshanit, është optimizëm për banorët që kanë vendosur të jetojnë në fshat dhe të merren me bujqësi. Kemi akoma problem punën e dritave, shpresojmë ta zgjidhim sa më shpejt edhe atë që në Fishtë e Blinisht të bëhen me kabllorë”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.