ARMENI – Pachinian dënon një përpjekje për grusht shteti

EREVAN, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – Kryeministri armen, Nikol Pachinian dënoi sot një përpjekje për grusht shteti ushtarak dhe shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, pasi ky i fundit kërkoi dorëheqjen e qeverisë së tij.

“Konsideroj se deklarata e shefit të Shtabit të Përgjithshëm është një përpjekje për grusht shteti ushtarak. Ftoj të gjithë mbështetësit tanë të mblidhen në Sheshin e Republikës, në Erevan”, shkruajti në Facebook, Pachinian.

Pachinian ka njoftuar menjëherë shkarkimin e gjeneralit, Onik Gasparian, në krye të Shtabit të Përgjithshëm.

Edhe opozita synon gjithashtu të manifestojë.

Një ditë më parë, Pachinian kishte shkarkuar një zëvendës të gjeneralit, Gasparian, gjë që nxiti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, duke gjykuar se ai nuk ishte në gjendje për të marrë vendimet e nevojshme.

Kryeministri armen është nën presionin e opozitës që kërkon dorëheqjen e tij që prej dështimit ushtarak të Armenisë përballë Azerbajxhanit në vjeshtë të vitit 2020 në konfliktin e Nagorni-Karabahut./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.