Lehtësitë fiskale/ 110 428 biznese të vogla në 2020-ën, nga 60 000 në vitin 2013

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se në këto 8 vite qeveria ka ulur barrën fiskale për biznesin e vogël, që ka çuar në rritjen e numrit të sipërmarrjeve dhe të punësimit.

Në konferencën “Ekonomia në fokus” Denaj tha se, “në 2013 të gjithë bizneset në vend (të mëdhenj dhe të vegjël) kishin të njëjtën masë fiskale prej 10 % tatim mbi fitimin. Në paketën fiskale 2014 qeveria uli nga 10 % në 7 % tatimfitimin për të gjitha bizneset me një qarkullim deri në 8 milionë lekë në vit. Në 2016 u bë një ulje e mëtejshme në nivelin 0 %, për bizneset me një qarkullim 5 milionë lekë në vit, për të vijuar me uljen e barrës fiskale për bizneset nga 8-14 milionë lekë, nga 15 % në 5 % dhe vijmë në janar të 2021 me 0 % tatimfitim për të gjithë bizneset që kanë qarkullim në 14 milionë lekë në vit”.

Sipas saj, kjo tregon se është një qasje e të gjithë politikës socialiste për të ulur barrën fiskale për bizneset e vogla dhe për të mbështetur nxitjen e zhvillimit të këtij sektori.

Në 2013 ishin 60 mijë biznese të vogla, por duke përfituar nga lehtësitë fiskale, numri i tyre u rrit me 84 % për shkuar në 2020 me 110 428 biznese.

Sipas saj, janë gati 2 miliardë lekë që në 2013 arkëtoheshin në buxhetin e shtetit dhe në 2021 do të jenë 0, dhe e gjithë vlera prej 2 miliardë shkon në buxhetin e biznesit të vogël, për të mundësur zhvillimin e tyre.

“0 % është tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël në 2021, i ndryshëm nga çdo vend tjetër i rajonit”, – tha Denaj.

Ministrja theksoi se, “janë vetëm 9% e bizneseve, të cilët kanë barrë fiskale më të rritur dhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit, prej kësaj kategorie është e konsiderueshme, në  2013 nga 15,1 miliardë lekë në 35 miliardë lekë në 2019″.

Për sa i përket TVSH-së, ajo tha se, “janë 48 372 biznese që janë me qarkullim nga 0-10 milionë lekë të cilët përfitojnë nga zerimi i TVSH”.

Të gjitha këtë biznese të klasifikuara si biznese të vogla pa TVSH, përfitojnë në total 3 miliardë lekë në buxhetin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes

Denaj theksoi se, duke zbatuar taksimin progresiv është ulur barra fiskale për pjesën më të madhe të të punësuarve.

Janë 97 % të punësuar që iu është ulur barra fiskale.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.