TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, duke folur sot në një intervistë televizive për votën e emigrantëve, deklaroi se KQZ ka afat deri më 20 shkurt që të nxjerrë aktet nënligjore.
Majko theksoi se pas kësaj date, hyjnë në fuqi pasojat, për të gjithë ata që bëjnë bllokime.
“Sot që flasim kemi dy nene që flasin për të drejtën e votës dhe që janë miratuar në parlamentin e Shqipërisë. Pra nëse deri dje bënim fjalë vetëm për shkeljen e Kushtetutës nëse nuk do të kishim votim të shtetasve tanë jashtë vendit, sot nëse do të ngrihej kjo hipotezë nuk do kishim vetëm shkeljen e të drejtës kushtetuese, por do të kishim shkeljen e ligjit. Janë dy nene, 24 dhe 25, të cilat për momentin ne presim që të dalin aktet nënligjore. Afati i fundit ligjor që nga hyrja në fuqi e Kodit Zgjedhor ka datën 20 shkurt. Pra deri në datën 20 shkurt KQZ duhet të nxjerrë udhëzimet dhe të plotësojë të gjitha detyrat që i detyron zbatimi i Kodit Zgjedhor”.
“Jam pak i çuditur për faktin që KQZ faktikisht e nisi këtë punë duke kërkuar opinion nga partitë politike. Të kërkosh opinion nga partitë politike, kjo do të ishte e natyrshme kur ishte tryeza në qershor e vitit të kaluar dhe diskutoheshin gjërat e angazhimit politik në parlament si do të ndryshohej Kodi Zgjedhor”, u shpreh Majko.
“Tani që kemi të shkruar Kodin Zgjedhor nuk mund të pyesësh askënd për çfarë duhet të bësh me ligjin Ligji thjesht duhet të zbatohet. E di shumë mirë që brenda KQZ, përfaqësuesit e opozitës kanë bllokuar situatën. Por dua t’iu kujtoj një gjë. Pas datës 20 shkurt, të gjithë ata që kanë bllokuar këtë proces duhet të bëjnë llogari penalitetet. Janë të paktën dy nene në Kodin Penal që është shpërdorimi i detyrës dhe ndalimi i të drejtës së votës”, u shpreh Majko.
“Duhet ta marrin shumë seriozisht sepse kjo nuk është një lojë futbolli ku ti duhet ta hedhësh topin dhe të thuash filan parti nuk më dha “OK” për të zbatuar ligjin dhe prandaj unë nuk po e zbatoj ligjin”, theksoi Majko.
“KQZ deri në datën 20 shkurt duhet të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të Kodit Zgjedhor, nenit 24 dhe nenit 25”, tha Majko. /j.p/r.e/























