Ballina Aktualitet

Xhaçka, pjesë e shpalljes së Deklaratës kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet shtet me shtet

TIRANË, 15 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në shpalljen e Deklaratës Kundër Ndalimit Arbitrar në Marrëdhëniet Shtet me Shtet, me ftesë të ministrit të Jashtëm të Kanadasë.

Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për këtë deklaratë, teksa e cilësoi si të papranueshme rritjen e numrit të ndalimeve arbitrare të shtetasve të huaj të pafajshëm, nga qeveritë, të cilat sipas saj duan t’i përdorin ato si mjete negocimi në marrëdhëniet e tyre me qeveritë dhe vendet e origjinës të të ndaluarve.

“Ne duhet t’u dërgojmë një mesazh të qartë të gjithë atyre, që e konsiderojnë ndalimin arbitrar të shtetasve të huaj, si një mjet për politikën e jashtme, se veprimet e tilla kanë një çmim. Dhe ky çmim nuk është i parëndësishëm, por një njollë mbi reputacionin dhe imazhin e atyre që përfshihen në veprime të tilla”, u shpreh ajo.

Xhaçka përgëzoi Kanadanë për këtë iniciativë, duke e cilësuar këtë deklaratë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër ndalimeve arbitrare në marrëdhëniet midis shteteve.

Në konferencë përshëndetën përfaqësues të lartë të diplomacisë europiane e botërore, si dhe personalitete kanadeze me ndikim në jetën politike, sociale e kulturore në botë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgricat në rrugë/ Meta: Të përmbushen detyrimet ligjore në ndihmë të popullatës
Artikulli tjetërRezultatet dhe sfidat e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar/ Ambasadori Del Monaco takon kryetarin Simoni