Ballina Bota

COVID-19 – BioNTech/Pfizer rrit prodhimin e vaksinave

BERLIN, 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Laboratori BioNTech njoftoi sot fillimin e prodhimit të vaksinës së tij kundër koronavirusit të projektuar me Pfizer në një uzinë të re në Marburg (Gjermani), destinuar për të rritur livrimet.

“Ne kemi filluar etapën e parë të prodhimit të vaksinave në uzinën tonë të Marburgut, në Hesse”, njoftoi laboratori gjerman në një komunikatë.

“Kjo uzinë do të prodhojë në mënyrë të veçantë ARNm, përbërësi aktiv i kësaj vaksine kundër COVID-19”, thekson komunikata duke shtuar se një lot i vetëm i ARNm, në sasinë aktuale, mjafton për të prodhuar tetë milionë doza të vaksinës.

Pas prodhimit fillestar të ARNm, kjo e fundit pastrohet dhe përqendrohet , pastaj transferohet te partnerët e prodhimit të cilët e paketojnë dhe sterilizojnë atë.

Sidoqoftë, ky prodhim duhet të marrë akoma dritën jeshile nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA), në shkurt dhe mars, përpara se të shpërndahet, thekson BioNTech.

“Vaksinat e para të prodhuara në qendrën e Marburgut do të transportohen në fillim të prillit”, parashikon laboratori.

Aktualisht, uzina kryesore e prodhimit të vaksinave me destinacion klientët europianë ndodhet në Puurs, në Belgjikë.

BioNTech parashikon të prodhojë deri në 250 milionë doza të BNT162b2 gjatë gjashtëmujorit të parë 2021./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Vaksinat e radhës nga “Pfizer” më 15 shkurt
Artikulli tjetërBERLIN – Rënie drastike e turizmit nën peshën e pandemisë