Ballina Bota

RUSI – Putin nënshkruan zgjatjen e traktatit të çarmatimit New Start

MOSKË, 29 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Poutine nënshkroi sot zgjatjen e traktatit të rëndësishëm ruso-amerikan New Start për kufizimin e armatimeve bërthamore, pas marrëveshjes së arritur këtë javë nga Moska dhe Uashingtoni për të shpëtuar këtë traktat.

“Vladimir Putin nënshkroi ligjin federal mbi ratifikimin e marrëveshjes për zgjatjen e traktatit mes Rusisë dhe SHBA-së për masat që parashikojnë reduktimin dhe kufizimin sa më shumë të armëve strategjike ofensive”, theksoi Kremlini në një komunikatë.

Kjo zgjatje për pesë vite, deri në 2026 ishte miratuar tashmë nga Parlamenti Rus të mërkurën unanimisht. Teksti i mëparshëm skadoi më 5 shkurt.

Putin theksoi të mërkurën se zgjatja e traktatit New Start ishte një hap në drejtimin e duhur, por konsideroi se siguria globale mbeti e kërcënuar për shkak të tensioneve në rritje ndërkombëtare.

Traktati New Start është marrëveshja e fundit dypalëshe që lidh dy fuqitë bërthamore botërore. Zgjatja e tij rrit shpresat për një përmirësim të dialogut mes Uashingtonit dhe Moskës, një javë pas ardhjes në pushtet të Joe Biden./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Programi ynë, rritje të paktën me 5 % të pensioneve çdo vit
Artikulli tjetërAngjeli për programin ekonomik të PD-së: I ngjan më tepër një pazari, nuk flet për tërmetin e as për pandeminë