GJERMANI – PBB rënie me 3% në TI 2021

BERLIN, 27 janar /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane uli sot me 3% parashikimet për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2021, nga 4,4% që pritej më parë, për shkak të shtrirjes së pandemisë së COVID-19.

“Rimëkëmbja vazhdon në 2021, por me më pak forcë”, konfirmoi ministri i Ekonomisë  Peter Altmaier, në një raport të publikuar sot.

Sipas Berlinit, ekonomia gjermane do të rikthehet në nivelin e para krizës duke nisur nga vitit 2022.

Arsyeja për këtë rishikim është ndikimi ende i rëndësishëm i pandemisë COVID-19 në ekonominë gjermane, e cila përjetoi një recesion prej 5% në vitin 2020.

“Pritet që aktiviteti ekonomik të shënohet ende me forcë nga pandemia, veçanërisht “në fillim të vitit”, theksoi qeveria.

Si të gjitha vendet europiane, Gjermania është goditur rëndë që prej vjeshtës nga vala e dytë e koronavirusit të ri që ka rezultuar në kufizimet që shtrihen përtej kohëzgjatjes së pritshme.

Tregjet jo thelbësore janë mbyllur që prej mesit të dhjetorit, ndërkohë që restorantet, baret, kafenetë dhe vendet e argëtimit dhe kulturore janë të mbyllura që prej nëntorit.

Këto masa kanë frenuar në mënyrë të konsiderueshme rimëkëmbjen ekonomike, filluar këtë verë pas valës së parë.

Por rënia e aktivitetit në shërbime dhe tregti, e shkaktuar nga kufizimet, mund të ndikojë seriozisht në aktivitetin e përgjithshëm gjatë pjesës së parë të vitit.

Sipas institutit ekonomik DIW, Gjermania pritet të përjetojë një rënie prej 3% të PBB-së së saj në tremujorin e parë të 2021.

Për qeverinë, fushata e vaksinave sidoqoftë gradualisht mund të bëjë të mundur heqjen e kufizimeve.

“Shumë sektorë pritet të rikuperohen shumë shpejt pas kufizimeve”, tha Peter Altmaier.

Gjermania zgjati javën e kaluar masat kundër pandemisë deri në mes të shkurtit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.