BRUKSEL – Shkeli rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, WhatsApp drejt gjobës 50 milionë euro

BRUKSEL, 26 janar /ATSH-ANSA/ – Aplikacioni WhatsApp, në pronësi të kompanisë Facebook, mund të marrë një gjobë deri në 50 milion euro për shkelje të rregullave të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

Aplikacioni u akuzua për mosdhënien e informacionit adekuat për përdoruesit në lidhje me ndarjen e të dhënave me Facebook.

Sipas asaj që mësohet nga burimet, javën e ardhshme Komiteti për Privatësinë i BE (EDPB) duhet të diskutojë rastin gjatë seancës plenare të tij me përfaqësuesit e autoriteteve kombëtare të mbrojtjes së të dhënave.

Sanksioni paraprak, mbi të cilin ende po konsultohen agjencitë e ndryshme të privatësisë së BE-së, mund të përfaqësojë një nga më të lartit e vendosur ndonjëherë në bazë të Rregullores së Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së (GDPR), në fuqi që nga viti 2018.

WhatsApp mund të marrë një gjobë midis 30 dhe 50 milion euro për mosrespektimin e plotë të kërkesave të transparencës të përcaktuara nga GDPR.

Përveç kësaj, autoritetet e privatësisë mund të kërkojnë që WhatsApp të ndryshojë mënyrën se si trajton të dhënat e përdoruesit për të qenë më transparent. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.