Meta: Të ulen tarifat në universitete për studentët

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me një përfaqësi të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, të cilët e njohën me disa nga çështjet më kritike me të cilat përballen studentët, duke parashtruar edhe rekomandimet për zgjidhjen e tyre.

Pasi i dëgjoi shqetësimet dhe u njoh me gjetjet e përfaqësuesve të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë, Presidenti i Republikës u shpreh se, “në këtë situatë  problem i madh për studentët sot është çështja e tarifave, për shkak se pandemia për fat të keq, pati një kosto të madhe për familjet shqiptare”.

“Sipas Bankës së Shqipërisë, mbi 50 mijë shqiptarë humbën vendet e punës dhe sigurisht përballimi i tarifave të universiteteve për fëmijët e tyre është një kosto shtesë për shumë familje, që kanë një pagë të ulët. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në arsimin e fëmijëve, për shkak të vështirësive që duhet të kapërcehen për të përballuar të njëjtat shpenzime, si përpara se të vinte pandemia”, tha Meta.

“Arsimi është një instrument shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por është shumë i rëndësishëm për të luftuar varfërinë. Njëkohësisht arsimi është mundësia më e mirë që i jepet një fëmije, për të shprehur sa më shumë potencialin e tij në jetë, por edhe për të kontribuar më shumë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Forcimi dhe investim i mëtejshëm në arsim, si një e mirë publike, por dhe si parandalues i pabarazisë dhe i përjashtimit social, është një prioritet”, theksoi Meta.

“Sidomos  në këto kushte, që  jemi sot, ku për fat të keq, pabarazia është evidente. Fenomen kryesor dhe më shqetësues që lidhet me rininë është tendenca e tyre për të ikur nga Shqipëria, në mungesë të besimit dhe shpresës. Shqipëria mban vendin e parë në Europë, përsa i takon studentëve që studiojnë jashtë vendit në raport me popullsinë. Por, ajo që është më shqetësuese është se gati 94-95 % e atyre që studiojnë jashtë nuk kanë dëshirë të kthehen më”, tha Meta.

“Shqetësuese është gjithashtu niveli shumë i lartë i atyre që studiojnë në vend të cilët duan të largohen, sidomos për degët të tilla siç është mjekësia”, tha Meta. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.