Moti i keq/ Situata nën kontroll në Novoselë, niveli i ujit në Vjosë 6-6.5 m

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Situata pas reshjeve të shiut në fshatin Novoselë të Vlorës është nën kontroll.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, së bashku me drejtorin e Shërbimeve, Edi Jorgji dhe përgjegjësin e bordit të kullimit për Novoselën, Valter Hasani, inspektuan situatën në Novosoleë.

“Pamë nga afër  situatën që ka ndryshuar me ritme të shpejta në Vjosë, pas mbrëmjes së djeshme. Sot, niveli i ujit është 6-6.5 m megjithatë situata, siç shpresojmë, nuk pritet të jetë e rrezikshme, megjithëse niveli është rritur edhe në Memaliaj”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli tha se “në ato problematika të vogla që janë shfaqur gjatë mëngjesit, pas shirave të natës, do të ndërhyjmë brenda ditës për të pasur gjithçka nën kontroll”.

“Situatën e kemi nën kontroll, vetëm në Panaja dhe Nartë ka pasur disa përmbytje. Hidrovoret janë funksion të plotë. Jemi brenda limiteve dhe nuk presim përmbytje masive”, – tha Leli.

Kryebashkiaku Leli inspektoi bashkë me disa banorë të Nartës, edhe zonën midis Nartës dhe Panajasë, për të dëgjuar dhe ndrequr shqetësimet që kanë pasur, si pasojë e rreshjeve të këtyre ditëve.

“Dëmtimi i kolektorit nga banorët, ka sjellë probleme në kanalet kulluese dhe vaditëse. Ekipi i bashkisë do të jetë në terren për të ndërhyrë e riparuar të gjitha dëmet e veprimeve të papërgjegjshme që shkaktojnë problematika në komunitet”, – tha Leli.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.