Mediu: Bashkëpunim me PD për ruajtjen e votës në çdo qendër

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ka bërë thirrje Partisë Demokratike për bashkëpunim mes opozitës për mbrojtjen e votës.

Nga njësia 1 në Tiranë ku ka zhvilluar takime me mbështetësit, Mediu tha se opozita duhet të veprojë e jo thjesht të mbajë takime në zyrat e PR apo PD.

“Vendimmarrja nuk mund të ngelet vetëm thjesht tek lidershipi politik tek zyra e PR apo PD, por në uljen dhe konkretizimin në çdo marrëdhënie me çdo individ”.

“Ajo që po kërkojmë ne është që të bashkëpunojmë me Partinë Demokratike në çdo qendër votimi në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të lira të ndershme dhe të garantojmë që të gjithë qytetarët që duan të votojnë opozitën pavarësisht se kë parti demokratike t’i çojmë në qendrat e votimit dhe të bëjmë të mundur që ata të votojnë të lirë”, tha Mediu.

Mediu theksoi se po kërkon që të bashkëpunojë me Partinë Demokratike në çdo qendër votimi, në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mediu ka prezantuar deri sot kandidatët për deputetë të PR në disa qytete të vendit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.