PD: Mësuesit u mashtruan për rritjen e pagave

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi sot se qeveria i mashtroi mësuesit për rritjen e pagave, ndërsa nuk mori asnjë masë për të siguruar mësim në kushte minimale për nxënësit dhe mësuesit.

Në një deklaratë për mediet, Vokshi tha se “Rama nuk ka asnjë plan për të përballuar efektet e pandemisë në arsim. Dështim për të siguruar kushtet për mësim fizik në shkolla. Dështim për mësimin online. Dështim për mësimin e alternuar”.

“Për fat të keq, udhëzimi i vetëm i qeverisë për t’u mbrojtur nga COVID është hapja dhe mbyllja e dritareve në shkolla në temperatura që shkojnë edhe në minus”, tha ajo, duke bërë të ditur se në shkolla nuk ka ngrohje dhe mësimi po bëhet me orar akoma më të shkurtuar.

“8 vjet në pushtet nuk e bëri kurrë prioritet shkollimin cilësor të fëmijëve, që vjen, në radhë të parë, duke trajtuar me dinjitet mësuesit”, tha Vokshi.

Sipas saj, “mësuesit në gjimnaze, në shkolla fillore, në shkolla tetëvejçare dhe edukatoret patën një rritje pagash gjatë qeverisjes së PD-së. Mesatarisht, rritja ishte mbi 2 herë më e madhe, mbi 200%, duke marrë parasysh edhe inflacionin e kohës”.

Vokshi tha se “premtimi për pagat jo vetëm nuk u mbajt, por ata po shfrytëzohen si skllevër, me dhjetëra orë të papaguara dhe të pambrojtur nga Covid. Me këtë rritje qesharake për 8 vjet, mësuesit nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, jo më të sigurojnë një jetesë më të mirë për vete dhe familjet e tyre”.

Por sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, fondi vjetor për rritjen e pagave me 15 % për punonjësit mësimor që ka nisur që nga 1 janari i këtij viti llogaritet 3.5 miliardë lekë. Rritja e pagës së mësuesve është bërë mbi funksionin.

Konkretisht paga mesatare bruto e mësuesve të shkollave 9-vjeçare nga 65 800 lekë që është do të bëhet 72 100 lekë. Paga mesatare bruto e mësuesve të gjimnazeve nga 68 800 lekë që është do të bëhet 75 550 lekë.

Kështu, në sistemin arsimor shqiptar, paga mesatare ishte 65 800 lekë, me rritjen 15 % (6300 lekë) shkon në 72 100 lekë, ndërsa paga mesatare bruto e mësuesve ishte 68 800 lekë, me rritjen 15 % (6750 lekë) shkon në 75 550 lekë.

Pagat e mësuesve të shkollave 9-vjeçare nga 2013 në 2021 janë rritur me 21.6 %, ato të shkollave të mesme me 21.3 %.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.