Deklarata e PD/ Sako: 615 pallate në rehabilitim ku po punojmë për t’i kthyer normalitetin banorëve

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka reaguar pas deklaratës së një dite më parë të kreut të PD në Durrës, Ferdinand Xhaferraj i cili tha se “banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në zonën e Plazhit prej 14 muajsh nuk kanë marrë asnjë konfirmim nga Bashkia nëse banesat e tyre janë të banueshme ose jo”.

Në reagim, Sako ka publikuar foto edhe nga puna që po bëhet për rikonstruksionin e plotë të pallateve në zonën e plazhit.

“Cilën masakër nuk ka ardhur të shohë askush? Kështu ka deklaruar Xhaferraj pikërisht tek ky pallat ku ne po punojmë për t’i kthyer normalitetin banorëve”, deklaron Sako.

Ajo thekson se janë 615 pallate në rehabilitim të plotë.

Bashkia ka sqaruar se “pikërisht në pallatin ku ka dalë në deklaratë kreu i PD-së durrsake ka 10 ditë që po punohet me intensitet për rikonstruksionin e tij”.

“Ky pallat është klasifikuar me shkallë dëmtimi DS3 nga 5 inxhinierë dhe arkitektë një pjesë e të cilëve janë nga FSHZH dhe pjesa tjetër nga Bashkia e Durrësit. Në bazë të këtij klasifikimi banorët kanë përfituar grantin e rikonstruksionit ndërkohë që të gjitha dëmet e tjera të pallatit, në ambientet e përbashkëta të brendshme e të jashtme po kryhen nga firma e cila po punon në këtë pallat prej 10 ditësh, pra ka qenë duke punuar edhe ditën kur Xhaferraj ka bërë deklaratën se aty nuk po ndodh asgjë”, theksoi Bashkia Durrës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.