Kryemadhi: Të gjitha prodhimet shqiptare bujqësore dhe blegtorale pa TVSH dhe taksë për të stimuluar prodhimin

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e Fierit.

“Ne hodhëm idenë e diskutimit që të gjitha prodhimet shqiptare të jenë pa taksë, pa TVSH, për të stimuluar jo vetëm prodhimin vendas, por për të krijuar një hapësirë që shqiptarët të kenë çmime më të ulëta dhe prodhime të një cilësie të mirë. Sepse ne shohim dy standarde, një standard shohim shqiptarët që i hedhin apo i groposin prodhimet e tyre në rrugë, ndërsa kemi standardin tjetër që dy apo tre biznese importojnë qoftë qepën, hudhrën apo edhe pataten e domaten, ndërkohë që mund të kemi prodhimet tona”, tha Kryemadhi.

“Nëse ne nuk do t’i japim dorën njëri-tjetrit, ku të tregojmë që kjo TVSH e ushqimeve jo vetëm që nuk e ndihmon fshatarin, por përkundrazi e la atë pa e shitur prodhimin e tij, ndërkohë që pikat e grumbullimit e kthyen në biznes, ku merrnin prodhimet nga jashtë, i grumbullonin dhe pastaj i shisnin po prapë jashtë, solli një dëmtim të madh të bujqësisë”, u shpreh ajo.

“Për të mos folur pastaj për blegtorinë, për mishin për shembull ku ne vetëm 30 % të kërkesave plotësojmë me prodhimin vendas, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër importohet. Qoftë për mishin e qengjit, qoftë për shpendët, për mishin e vicit e të tjera me radhë. Po të pyesësh shqiptarët thonë: A e ke mish vendi, apo të ardhur? Pra, ne e duam mishin e vendit, duam ta konsumojmë, por nuk e kemi të mundur”, tha Kryemadhi.

“Ne brenda javës së ardhshme do të shpalosim pikat e programit tonë. Edhe Kejdi ka punuar për programin për pjesën e arsimit dhe e di shumë mirë që kemi bërë disa pika shumë të mira”, u shpreh Kryemadhi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.